Kompania amerikane publikon rezultate inkurajuese të vaksinës kundër COVID-19

Kompania amerikane publikon rezultate inkurajuese të vaksinës kundër COVID-19

21:40, 19/05/2020

Një kompani nga shteti amerikan Masaçusets njoftoi se vaksina e saj eksperimentale kundër koronavirusit ka dhënë rezultate inkurajuese.

Testimet e hershme u kryen tek tetë persona të moshës së mesme, në gjendje të mirë shëndetësore, raporton VOA.

Kompania Moderna Inc. me seli në Kembrixh, të shtetit Masaçusets, thotë se vaksina e saj eksperimentale kundër koronavirusit tregoi rezultate inkurajuese në testimet e hershme.

Kompania tha të hënën se vaksina e saj shkaktoi reagim imunitar në tetë vullnetarë të shëndetshëm, të moshës së mesme.

"Pra, ka krijuar llojin e përgjigjes imune që duhet të jetë mbrojtëse, por ne nuk mund ta themi vërtet këtë me siguri. Është provuar deri më tani tek vetëm tetë persona. Këto informacione i kemi vetëm për këta tetë persona. Rreth 45 persona e kanë marrë vaksinën deri më tani. Ka një lloj sigurie se të paktën tek ata njerëz, dukej e parrezikshme", thotë Marilynn Marchione, eksperte e mjekësisë, në Associated Press.

Vaksina eksperimentale krijoi antitrupa, të ngjashëm me antitrupat që shihen te njerëzit që janë rikuperuar nga COVID-19, tek vullnetarët e studimit, të cilëve u është dhënë një dozë e ulët ose e mesme.

"Qeveria ka njoftuar iniciativën e quajtur Operacioni Warp Speed për të bërë përpjekje për të patur deri në janar një vaksinë që do të funksionojë, për të paktën një masë njerëzish. Kjo është një detyrë me të vërtetë e madhe - arritja e një vaksine nga e para për një mikrob të ri si ky koronavirus - kjo nuk është parë ndonjëherë më parë", thotë zonja Marchione.

Studimi po udhëhiqet nga Institutet Kombëtare të Shëndetit të Shteteve të Bashkuara. Në fazën tjetër, studiuesit do të përpiqen të përcaktojnë se cila dozë është më e mirë për një eksperiment përfundimtar që ata synojnë ta fillojnë në korrik.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco