Tamponët, kur fshihemi pas OBSH-së

Tamponët, kur fshihemi pas OBSH-së

21:33, 06/04/2020
A+ Aa A-

Nga Gentian Çala -*

Debati për të bërë më shumë apo kaq tampone sa ç’bëhen aktualisht, kthehet qëllimisht në një debat teknik, por në të vërtetë nuk është i tillë. Justifikimi se po bëhen sipas udhëzimeve të OBSH-së nuk e mbyll diskutimin, madje mendoj se është vetëm një justifikim teknik i një gabimi në menaxhimin e epidemisë Covid-19.

Mjafton të shikojmë modelet me më pak viktima, që është një nga indikatorët më të rëndësishëm të menaxhimit të mirë, siç është p.sh. Gjermania. Si thoni, a e menaxhuan ata më mirë duke bërë më shumë tampone apo më pak?!

Kur flasim për OBSH-në rekomandimet për tamponer nuk janë “standarti i artë”, por “standarti i mundshëm”, ndaj duhen gjykuar në këtë optikë. E vërteta qëndron ndryshe dhe ndaj është më mirë të flasim troç. Mua më lindin dy hipoteza lidhur me tamponet.

E para, mendoj se qeveria nuk kishte mjaftueshëm të tillë sepse nuk i siguroi me kohë blerjen e tyre. Në kohën që menduan t’i blejnë u bë e pamundur ti gjeje, ose mund të gjeje nga ato me sensitivitet të ulët (si ato të blera dhe denoncuara nga Republika Çeke).

E dyta, ka të bëjë me një aspekt që quhet “kontroll i të dhënave”, në përpjekje për të zvogëluar efektin psikologjik nga numrat apo rezultatet e tamponeve.

Këto dy elementë nuk janë teknikë, por vijnë nga vendimmarrësit, kurse ekspertët teknikë thjesht u mjaftuan me udhëzimet e OBSH-së. Tashmë jemi ndoshta në gjysmën e trajektores së epidemisë dhe ky diskutim mund të duket i vonuar apo i padobishëm. Jo nuk mendoj aspak, sepse ky diskutim ka të bëjë me transparencën e atyre që na drejtojnë. KM-ja duhet të dilte dhe të rrëfehej duke dhënë arsyet e këtij vendimi. Kështu mbyllej debati dhe gjithçka rrjedh prej tij.

Transparenca e drejtuesve, në këtë rast e kryeministrit, i cili e ka personalizuar menaxhimin e epidemisë për shkak të protagonizmit të tepruar të tij, është element mjaft i rëndësishëm (madje për disa ekspertë më i rëndësishëm se shumë elementë të tjerë të menaxhimit).

Kjo është nga ato të vërteta që nuk i bënte dëm interesit publik, përkundrazi krijon klimë mirëbesimi. Por, do kurajo ta bësh dhe jo gufje kot në kohë të “kolerës”!

Historia e tamponeve nuk mund të fshihet nga rekomandimet e OBSH-së!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco