A po i shkakton vdekjet koronavirusi?

A po i shkakton vdekjet koronavirusi?

13:21, 03/04/2020
A+ Aa A-

Mesatarisht në Britani vdesin të paktën 1600 persona në ditë. Shumë prej tyre janë të sëmurë dhe të moshuar. Por sa e lidhur është vdekja e tyre me shpërthimin e koronavirusit?

Nga Nick Triggle, BBC

Çdo ditë, lajmet për më shumë vdekje janë burim i madh alarmi për njerëzit në çdo vend- si dhe një tragjedi për familjet e përfshira.

Projeksionet se sa i rëndë mund të jetë shpërthimi i epidemisë kanë bërë që ministrat të vendosin vendin në izolim. Por çfarë na tregojnë shifrat e vdekjeve? Dhe, sa keq do të shkojnë gjërat?

A po i shkakton koronavirusi vdekjet?

Shifrat e vdekjeve të raportuara për ditë janë rastet kur një person vdes me infeksionin e koronavirusit në trup- për shkak se është një sëmundje e njoftueshme dhe rastet duhet të raportohen.

Por të dhënat nuk na tregojnë se deri në çfarë shkalle e ka shkaktuar virusi vdekjen.

Mund të jetë shkaku kryesor, një faktor kontribues ose thjesht i pranishëm kur ata po vdisnin nga diçka tjetër.

Shumica e njerëzve që vdesin nga koronavirusi e kanë një problem tjetër themelor shëndetësor: të tillë si sëmundje zemre ose diabet, që mund të jenë më shumë se një faktor.

Për shembull, një 18-vjeçar që vdiq në Angli, ishte testuar për koronavirus një ditë më parë dhe u raportua si viktima më e re në atë kohë.

Por spitali më pas lëshoi një deklaratë, duke thënë se vdekja e tij kishte ardhur për shkak të një problemi tjetër të rëndë shëndetësor dhe nuk lidhej me virusin.

Sidoqoftë, ka edhe raste të tjera, përfshirë punonjës të kujdesit shëndetësor dhe një djalë 13-vjeçar nga Londra, që kanë vdekur pa pasur sëmundje të njohura më parë.

Zyra e Statistikave Kombëtare tani është duke u përpjekur që të përcaktojë përqindjet e këtyre vdekjeve që janë shkaktuar posaçërisht nga koronavirusi.

Sa mund të vdesin?

Modeli i Imperial College në Londër, i përdorur për të informuar qeverinë, sugjeron se 500 mijë mund të kishin vdekur deri në gusht në Mbretërinë e bashkuar, nëse virusi do lihej i lirë në popullatë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se strategjia e mëparshme e qeverisë për të ngadalësuar virusin duke u kërkuar njerëzve me simptoma të izolohen dhe të mbrohen më të ndjeshmit, mund të sillte 250 mjë vdekje.

Tani shpresohet se me izolimin total, numri i vdekjeve do kufizohet në 20 mijë.

Por kjo nuk do të thotë se kanë shpëtuar 480 mijë njerëz- shumë do të vdesin edhe pa e marrë virusin.

Çdo vit, rreth 600 mijë njerëz vdesin në Britani. Të dobëtit dhe të moshuarit janë më të rrezikuar, edhe nëse nuk kanë koronavirus.

Pothuajse 10 përqind e atyre mbi 80 vjeç do të vdesin gjatë vitit të ardhshëm, thotë profesor Sir David Spiegelhalter nga Universiteti i Kembrixhit. Dhe rreziku që ata të vdesin edhe nëse infektohen me koronavirus është pothuajse saktësisht i njëjtë.

Kjo nuk do të thotë se nuk do ketë vdekje ekstra- por, thotë Sir David, do të ketë një ‘mbivendosje të konsiderueshme’.

“Shumë njerëz që do vdesin nga koronaviruris, do të vdisnin gjithsesi brenda një kohe të shkurtër,” thotë ai.

Të dish me saktësi se sa, është thuajse e pamundur në këtë fazë.

Profesor Neil Ferguson, modeluesi kryesosr i Imperial College London sugjeron se mund të jenë deri dy të tretat.

Por ndërsa vdekja pa virus mund të shtrihej përgjatë një viti, ata me virus mund të vdesin më shpejt dhe kjo do e mbingarkojë shërbimin shëndetësor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco