Aspiratorët, pajisja kryesore në trajtimin e rasteve serioze me Covid-19

Aspiratorët, pajisja kryesore në trajtimin e rasteve serioze me Covid-19

14:00, 29/03/2020
A+ Aa A-

Nga vlerësimet e deritanishme rezulton se një në gjashtë pacientë me COVID-19 mund të ketë vështirësi të konsiderueshme në frymëmarrje. Për rrjedhojë, shumë prej tyre mund të kenë nevojë për aspirator.

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen mjekët në spitale në të gjithë botën, në këtë periudhë të pandemisë së koronavirusut, është shpëtimi i jetës në ato raste kur numri i pacientëve në gjëndje serioze kapërcen infrastrukturën e mundshme mjekësore. Vendet me një numër të madh të rasteve më COVID-19 po përpiqen të plotësojnë kërkesat për pajisje të nevojshme për të përballuar numrin e lartë të rasteve me probleme të mëdha të frymëmarrjes të shkaktuara nga virusi.

Aspiratorët janë pajisjet mekanike të nevojshme për të trajtuar rastet me probleme të frymëmarrjes, ato konsiderohen vendimtare në luftën për t’i shpëtuar jetën pacientëve të prekur rëndë në mushkëri nga virusi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, një në gjashtë pacientë COVID-19 sëmuret rëndë dhe mund të zhvillojë vështirësi në frymëmarrje.

Në SHBA, e cila ka aktualisht numrin më të lartë të të prekurve me COVID-19, Shoqata e Mjekësisë dhe Kujdesit Kritik ka parashikuar që 960,000 pacientë me koronavirus mund të kenë nevojë për aspirator. Por SHBA ka për momentin vetëm rreth 200,000 paisje të tilla, dhe sipas vlerësimit të kësaj organizate, afërsisht gjysma e tyre janë modele më të vjetra që mund të mos jenë ideale për pacientët në gjëndje kritike. Përveç kësaj, shumë aspiratorë janë tashmë në përdorim nga pacientë të tjerë me sëmundje të rënda, jo koronavirus.

Sistemi Kombëtar i Shëndetit Publik të Mbretërisë së Bashkuar po ashtu raporton se disponon vetëm 8.117 aspiratorë, ndërkohë që Qeveria parashikon se mund të nevojiten deri në 30,000 të tillë. Situata është veçanërisht kritike në vendet me sistem të dobët të kujdesit shëndetësor, për shembull në vendet afrikane. Konkretisht në Mali me një popullsi prej 19 milion banorësh ekzistojnë vetëm 56 aspiratorë. Po e njëjta gjëndje mendohet të jetë edhe në vëndet e Ballkanit, dhe pa asnjë dyshim edhe në Shqipëri.

*

Për çfarë duhet një ventilator? Në rastet më të rënda, koronavirusi dëmton indet e shëndetshme në mushkëri, duke vështirësuar funksionin e mushkërisë për të dhënë oksigjen në  gjak. Në këtë rast zhvillohet ajo që quhet pneumoni, e cila së bashku me një gjendje më të rëndë dhe potencialisht vdekjeprurëse të quajtur sindromë akute e frymëmarrjes, mund të dëmtojë organet e tjera. Për të parandaluar këtë, përdoren ventilatorët mekanikë që dërgojnë oksigjen në mushkëritë e pacientëve me probleme të rënda të frymëmarrjes përmes një tubi të futur në fyt. Ventilatori gjithashtu ka një pajisje, që së bashku me oksigjenin dërgon në mushkëri ajër të ngrohtë e lagështi për të përputhur temperaturën e trupit të pacientit. Pacientët me simptoma më të lehta mund të vihen në ventilim jo-invaziv, duke përdorur maska për fytyrën apo maska të hundës, të cilat lejojnë që ajri ose përzierje të ndryshme gazrash të dërgohen në mushkëri.

*

Pyetjet që shtrohen më këtë rast janë:

1) Sa raste serioze që do të kenë nevojë për aspirim/ventilator ka parashikuar qeveria shqiptare mund të ndodhin në momentin e pikut? 

2) Sa është numri i posteve të reanimacionit që zotërojnë paisjen ventiluese/aspiruese në momentin e pikut?

3) A ekziston personeli i kualifikuar dhe në numër të mjaftueshëm që do të ndërmerrte këtë detyre në momentin e pikut?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco