Zbulohet identiteti dhe historia e pacientes së parë me koronavirus

Zbulohet identiteti dhe historia e pacientes së parë me koronavirus

22:04, 26/03/2020
A+ Aa A-

Personi i parë i testuar pozitiv me koronavirusin e ri në Wuhan të Kinës, aty ku nisi pandemia, është një grua që shiste karkaleca deti.

Kështu thuhet në një dokument që ka rrjedhë në media. Gruaja jetonte në një apartament me qira vetëm 500 metra larg tregut.

Ajo nisi të kishte ethe më 11 dhjetor. Duke menduar se kishte grip sezonal, ajo shkoi në një klinikë të vogël dhe të mbushur aty pranë që të kërkonte ndihmë mjekësore.

Por injeksionet nuk ia kuruan sëmundjen.

Gazeta Wall Street Journal shkruan se gruaja është 57 vjeç dhe quhet Wei Guixian.

Ajo mendohet se është shëruar, por i ka përshkruar simptomat e saj të para kështu: “Ndjehesha e lodhur, por jo aq e lodhur sa vitet e shkuara. Çdo dimër e kaloj gripin. Edhe këtë herë mendova se ishte grip”.

Në janar të këtij viti, Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se koronavirusi ka kaluar nga jeta e egër te njerëzit në tregun Huanan, aty ku punonte zonja Wei.

Gruaja tha se vazhdoi të shiste prodhime deti në treg edhe pse ishte e sëmurë. Më vonë shkoi në një spital më të madh për një mendim të dytë për sëmundjen.

“Mjekët nuk e kuptonin se çfarë kisha dhe më dhanë ca pilula. Por nuk ndjehesha mirë, madje u bëra edhe më keq. Nuk kisha më as fuqi”.

Në fund, më 16 dhjetor ajo shkoi në spitalin më të madh në qytet. Atje mjekët i thanë se kishte një sëmundje të ashpër dhe se persona të tjerë nga tregu kishin shfaqur të tilla simptoma.

Në atë kohë mjekët thanë se nuk kishte prova se virusi kalonte nga njeriu te njeriu.

Megjithatë, pacienti zero akoma nuk dihet dhe mbetet një mister. Zonja Wei është e para që është testuar pozitive për koronavirusin në treg, por ka pasur raportime se pacienti i parë mund të jetë një pensionist që nuk kishte lidhje me tregun.

Të dhënat e mbajtura sekret thonë se pacienti i parë mund të jetë pikasur që më 17 nëntor.

Kjo datë është shtatë javë përpara se Kina të shpallte zyrtarisht se ka identifikuar një koronavirus të ri.

Po ashtu të dhënat tregojnë se autoritetet kishin identifikuar 266 persona me koronavirus deri më 31 dhjetor- në kohën kur autoritetet ishin të zëna duke ndëshkuar mjekët që kishin dhënë alarmin për një sëmundje të ngjashme me SARS.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco