Mjekët italianë: Jemi në fund të forces, është sikur të shkosh në luftë me një armë lodër

Mjekët italianë: Jemi në fund të forces, është sikur të shkosh në luftë me një armë lodër

11:17, 24/03/2020
A+ Aa A-

Në spitalin Oglio Po në Itali, 25 nga 90 mjekë janë të infektuar me coronavirus, duke e rritur tendosjen me të cilën përballet një sistem shëndetësor i mposhtur nga shpërthimi i dytë më i madh në botë.

Nëse ua shton infermierët, teknikët dhe punonjësit e tjerë, një e pesta e personelit të spitalit ka dalë pozitivë në testet për coronavirus, tha drejtoresha e spitalit Daniela Ferrari.

Sipas një shkrimi të Reuters, ata dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor si ata pothuajse pa dyshim përhapin virusin përpara se të kenë nevojë për trajtim ose karantinë vetë, thonë studiuesit dhe sindikatat.

Fotografia është e njëjtë në spitalet e tjera, në mesin e mjekëve të familjes dhe në shtëpitë e pleqve – e përkeqësuar, thonë sindikatat, drejtuesit e sektorit dhe mjekët – të cilët edhe nuk kanë mjaft maska dhe doreza që kur u zbulua shpërthimi një muaj më parë.

“Ne jemi në fund të fuqisë sonë”, tha doktor Romano Paolucci, i cili doli nga pensioni për të ndihmuar spitalin Oglio Po pranë Kremones, një nga qytetet më të goditura në rajonin e Lombardisë.

“Ne nuk kemi burime të mjaftueshme dhe veçanërisht staf sepse përveç gjithçka tjetër, tani stafi ka filluar të sëmuret”.

Në Lombardi, rajoni italian me numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve, të paktën dy spitale u bënë hapësira të kontaminimit, me pacientë që infektonin stafin mjekësor që më pas përhapnin sëmundjen ndërsa udhëtonin nëpër komunitetet e tyre, përpara se të vendosej një bllokim i rreptë.

Ky është një faktor që ka ndihmuar që virusi të përhapet kaq shpejt, tha Giuseppe Remuzzi, drejtor i Institutit Mario Negri për Kërkime Farmakologjike.

“Pacientët infektuan pacientë dhe mjekë të tjerë, të cilët më pas dolën jashtë dhe kontaminuan të tjerët”, tha Remuzzi.

Në nivel kombëtar, 4.268 punëtorë shëndetësorë – ose 0.4 për qind e totalit – kishin kontraktuar virusin që nga 20 marsi, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit.

Në qytetin verilindor të Bergamos, 134 mjekë të familjes nga 600 – ose 22% – ishin sëmurë ose ishin në karantinë, tha Guido Marinoni, drejtuesi i shoqatës lokale të mjekëve të përgjithshëm. Tre mjekë kanë vdekur.

Në shtëpitë e pleqve të qytetit, situata ishte edhe më e keqe, me 1.464 punëtorë shëndetësorë të infektuar nga 5,805, tha ai.

Bergamo ka qenë aq i mbingarkuar sa që ushtria ka hyrë brenda për të bartur kufomat në provincat e tjera, pasi varrezat ishin shumë të mbushura.

Marinoni tha se për dy javët e para pasi sëmundja u zbulua për herë të parë në veri të Italisë më 21 shkurt, mjekëve të familjes iu munguan maska dhe doreza dhe kështu u kontaminuan lehtësisht nga kollitja dhe pacientët me ethe që shkuan t’i shohin pa e ditur se kishin coronavirus.

“Armë lodër”

Vetëm në fillim të marsit, mjekëve të familjes në Bergamo iu dhanë 25-30 maska kirurgjikale, tha ai.

“Nëse një person me sëmundje kontaminon mesatarisht dy persona të tjerë, një mjek që lëviz rreth komunitetit mund të kontaminojë të paktën 10 persona të tjerë dhe kjo përhap ngjitjen në një mënyrë eksponenciale”, tregon Marinoni.

“Është si të shkosh në luftë me një armë lodër. Shpresoj që pjesa tjetër e Evropës të mësojë nga gjërat e mira që bëri Italia, por edhe nga gabimet tona”.

Kreu i qeverisë për luftën kundër coronavirusit thotë se Italisë i duhen 90 milionë maska në muaj dhe se ka “aktivizuar të gjitha kanalet e mundshme” për ta arritur atë.

Pajisjet mbrojtëse dhe mjekësore, përfshirë maskat dhe ventilatorët, “prodhohen në vendet larg, ne nuk kemi një industri kombëtare me aftësinë t’i bëj ato në një shkallë të madhe”, tha Domenico Arcuri për televizionin shtetëror të dielën.

Megjithatë, Guvernatori i Lombardisë, Attilio Fontana tha të enjten se ai kishte nënshkruar një kontratë për 4 milionë maska nga Jordani.

Në disa spitale dhe qendra shëndetësore të kryeqytetit financiar të Italisë, Milano, publike dhe private, stafi dhe sindikatat gjithashtu ankohen për masa jo adekuate për mbrojtjen e personelit.

Edhe në vendet ku mjetet mbrojtëse ishin të pranishme që nga fillimi, të tilla si Policlinico San Marco afër Bergamos, disa staf ishin akoma të infektuar, tha Roberto Mezzetti, një kirurg vaskular që vullnetarisht po ndihmonte pacientët me coronavirus.
Ata ndoshta kanë kontraktuar virusin jashtë spitalit pasi ata vazhduan me jetën e tyre normale në fazat e hershme të shpërthimit, tha ai. Tre prej tyre ishin në gjendje të rëndë.

Ndërkohë shumë punonjës të shëndetit thonë se të gjithë duhet të testohen.

Por disa mjekë paralajmërojnë se nëse të gjithë testohen, shkalla e vërtetë e infeksionit në mesin e mjekëve mund të jetë aq e lartë sa spitalet do të ndalonin së punuari.

“Kam frikë se spitalet do të boshatisesh”, paralajmëroi Mario Riccio, drejtues i anesteziologjisë në spitalin Oglio Po. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco