Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Nga nisi pandemia e koronavirusit?

Nga nisi pandemia e koronavirusit?

10:39, 24/03/2020
A+ Aa A-

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se pandemia e koronavirusit po përshpejtohet. Deri më tani janë mbi 383 mijë të prekur dhe mbi 16.500 të vdekur. Por si nisi pandemia? BBC risjell edhe njëherë këtë shkrim, që synon të shkojë te origjina e virusit

Nga Helen Briggs, BBC

Diku në Kinë, një lakuriq fluturon lart në qiell, duke lënë pas një gjurmë koronavirusi në tokë. Një kafshë e egër, ndoshta një pangolin që po kërkon për insekte mes gjetheve, e merr infeksionin nga jashtëqitja e lakuriqit.

Virusi i ri nis të qarkullojë në jetën e egër. Me shumë gjasa, kjo kafshë e egër kapet dhe një person diku e merr sëmundjen dhe më pas e kalon në një treg të kafshëve të egra. Lind një epidemi globale.

Shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë të vërtetën e këtij skenari, teksa po mundohen të përcaktojnë se cila kafshë e egër e solli virusin. Të zbulosh sekuencat e ngjarjes është sikur të bësh punën e një detektivi, thotë profesor Andrew Cunningham nga Shoqata Zoologjike e Londrës. Një numër kafshësh të egra mund të jenë bartëse, thotë ai, në veçanti lakuriqët, që mbajnë një numër të madh koronavirusësh të ndryshëm.

Por sa gjëra dimë për efektin e përhapjes së kësaj sëmundje? Kur shkencëtarët zbërthyen kodin e virusit të ri, të marrë nga trupi i një pacienti, u implikuan lakuriqët në Kinë.

Këta gjitarë jetojnë në koloni të mëdha, fluturojnë në distanca të gjata dhe janë të pranishëm në çdo kontinent. Ata sëmuren rrallë vetë, por kanë mundësinë që të përhapin patogjenët në distanca të gjata dhe gjerësisht. Sipas profesoreshës Kate Jones nga ‘University College London’, ekzistojnë disa prova se lakuriqët i janë përshtatur kërkesave energjike për fluturim dhe janë të mirë në riparimin e dëmtimeve në ADN. “Kjo i lejon ata të mbajnë një barrë të lartë virusesh në trup përpara se të sëmuren- por kjo është vetëm një ide për momentin”.

Nuk ka dyshim se kjo sjellje e lakuriqëve i lejon viruset që të lulëzojnë. “Kur vlerëson mënyrën se si jetojnë, ata duhet të kenë një numër të madh virusesh,” thotë profesor Jonathan Ball nga Universiteti i Nottingham. “Dhe për shkak se janë gjitarë, ekziston mundësia që disa prej tyre të infektojnë njerëzit direkt, ose përmes një specie bartëse të ndërmjetme”.

Pjesa e dytë e enigmës është identifikimi i kafshës misterioze që inkuboi virusin në trupin e tij dhe ndoshta përfundoi në një treg në Wuhan. Më i dyshuar është pangolini.

Gjitari me luspa ushqehet me milingona dhe është më i trafikuari në botë. Ai kërcënohet me zhdukje. Kjo kafshë kërkohet shumë në Azi dhe përdoret në mjekësinë tradicionale kineze. Mishi i pangolinit cilësohet si një delikatesë për disa. Koronaviruset gjenden te pangolini, disa pretendohet se janë të ngjashëm me virusin e ri te njeriu. A mundet që virusi i lakuriqit dhe ai i pangolinit të kenë pësuar mutacion përpara se të përhapen te njeriu? Ekspertët janë të kujdesshëm në nxjerrjen e një përfundimi. Të dhënat e plota për studimin e pangolinit nuk janë publikuar, duke e bërë të pamundur verifikimin e informacionit.

Profesor Cunningham thotë se origjina dhe numri i pangolinëve të shqyrtuar është i rëndësishëm. Pangolinët dhe të tjera specie të egra, përfshi një variacion me specie lakuriqësh, shpesh shiten në tregjet e lagështa, çka mundëson që virusi të kalojë nga një specie te tjetra. “Këto tregje ofrojnë kushtet ideale për të përhapur patogjenin nga një specie te tjetra, përfshirë njerëzit”.

Tregu në Wuhan, që u mbyll pas shpërthimit të epidemisë, kishte një seksion për kafshë të egra, ku shiteshin kafshë të gjalla dhe të prera, përfshi pjesë gamiljesh dhe koalash. Inventari i një dyqani aty përfshinte: këlyshë ujqërish, akrepa, minj bambush ketra, mace kivet, iriqë, porkupina, salamandra, breshka, krokodilë, dhelpra dhe miza.

Për aq sa dimë, lakuriqët dhe pangolinët nuk ishin në listë, por autoritetet në Kinë do kenë informacione sekrete për atë që shitej, thotë Ball. “Nëse ka ndodhur epidemia njëherë, ti kërkon të mësosh nëse këto gjëra do ndodhin sërish, për shkak se është e rëndësishme nga pikëpamja shëndetësore,” thotë ai. “Prandaj duhet të dish me saktësi se çfarë specie kafshësh ishin dhe çfarë rreziku përbëjnë”.

Shumë nga viruset me të cilat jemi familjarizuar së fundmi, vijnë nga kafshët e egra. Kështu ka ndodhur me HIV, Ebola, SARS dhe koronavirusin e ri. Jones thotë se shtimi i sëmundjeve infektive nga jeta e egër mund të vijë për shkak të aftësisë sonë për t’i pikasur, por edhe për shkak të ndërlidhjes së shtuar mes njerëzve. Nuk përjashtohet as mundësia që për shkak të ndërhyrjes në këto habitete të egra, duke ndryshuar panoramën e tyre, njerëzit të bien në kontakt me viruse të reja, të cilat popullsia njerëzore nuk i ka parë më parë.

Nëse ne i kuptojmë faktorët e rrezikut, mund të marrim masa për të parandaluar që të ndodhin sërish pa ndikuar te kafshët e egra, thotë Cunningham.

Konservacionistët thonë se pavarësisht se lakuriqët bartin shumë viruse, ata janë esencialë për ekosistemet. ‘Lakuriqët insektngrënës konsumojnë insekte në sasi të mëdha, mes tyre mushkonja dhe insekte të rrezikshme agrikulturore, kurse lakuriqët e frutave polenizojnë pemët dhe përhapin farat e tyre,” thotë ai. “Do ishte e domosdoshme që këto specie të mos zhduken përmes masave të gabuara për të kontrolluar sëmundjet”.

Pas virusit SARS në vitin 2002-2003, i shkaktuar nga një koronavirus i ngjashëm me atë që po shfaqet në Kinë dhe më gjerë, pati një ndalim të përkohshëm të tregjeve të kafshëve të egra. Por tregjet u rishfaqën sërish në të gjithë Kinën, Vietnamin dhe vende të tjera të Azisë Juglindore.

Kina ka pezulluar përsëri blerjen dhe shitjen e produkteve të kafshëve të egra, që përdoren zakonisht për ushqim, pellush dhe mjekësi tradicionale. Raportohet se kjo mund të bëhet masë e përhershme.

Ndërsa nuk mund të dimë me saktësi si dhe ku kaloi te njerëzit sëmundja përgjegjëse për shumë vdekje, profesoresha Diana Bell thotë se mund të parandalojmë një tjetër ‘stuhi perfekte’. “Ne po bashkojmë kafshë nga vende të ndryshme, habitate të ndryshme, stile jetese të ndryshme- që jetojnë në ajër, tokë apo jo. Ne po i bëjmë bashkë si në një tenxhere me presion. Duhet ta ndalojmë këtë gjë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Albi24/03/2020 11:27

Nese eshte e vertete qe lakuriqi permban covid viruse a nuk duhet me mire te shfaroset kjo specje e ndyre

t24/03/2020 10:51

OBSH,nuk e mbulon dot diellin me shosh. Covid19 eshte prodhim laboratori.

Shto koment

Denonco