A është koronavirusi vrasës ‘Sëmundja X’?

A është koronavirusi vrasës ‘Sëmundja X’?

17:56, 24/02/2020
A+ Aa A-

Koronavirusi që po përhapet në planet mund të jetë ajo që njihet me emrin ‘Sëmundja X’. Sipas Daily Mail, paralajmërimi vjen nga ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Gazeta shkruan se Sëmundja X është ai patogjen misterioz që mund të shkaktojë dëme të mëdha në botë.

Dr. Marion Koopmans, një virologe e OBSH tha: “Nëse do të kufizohet ose jo, ky shpërthim po bëhet me shpejtësi pandemia e parë e vërtetë që mund të futet në kategorinë e Sëmundjes X, e listuar nga OBSH në listën e prioriteteve për të cilat duhet të jemi të përgatitur globalisht”.

Gazeta britanike shkruan se komentet e saj vijnë pas një tjetër eksperti të OBSH, i cili shkruante para gjashtë muajsh në një raport se një sëmundje e ngjashme me gripin mund të vrasë deri në 80 milionë njerëz.

Por çfarë është Sëmundja X? Para një muaji, Syri.net publikoi një shkrim të ekspertit britanik, Peter Frankopan, që sqaron se çfarë është ky patogjen.

Pjesë nga shkrimi

"Sidoqoftë, më e frikshme është se krahas sëmundjeve të njohura, siç është sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes (koronavirusi SARS), OBSH përfshin edhe një tjetër vrasës të mundshëm potencial.

Kjo njihet edhe si Sëmundja X- një epidemi serioze ndërkombëtare, që mund të shkaktohet nga një patogjen aktualisht i panjohur si shkaktar sëmundjesh njerëzore.

Duket si një film distopik, por kjo mund të vijë nga një virus që ka kapërcyer pengesat e specieve nga kafshë dhe ka pësuar mutacion për të infektuar njerëzit, duke vrarë në numër të madh.

Ne jetojmë në një botë ku është shumë e lehtë dhe e lirë të prodhosh dhe modifikosh patogjenë të rinj në laboratorë, gabimisht ose me qëllim. Këto, natyrisht, mund të çlirohen me qëllim për të shkaktuar dëme- ndoshta nga një shtet që kërkon hakmarrje për poshtërimin ndërkombëtar ose nga ndonjë aktor tjetër joshtetëror si një akt terrorist. Sëmundjet mund të shpëtojnë edhe gabimisht dhe mund të dalin jashtë kontrollit. Të tillë skenarë sjellin pasoja të panjohura, por potencialisht shkatërrimtare.

Lajmi i mirë është se një shekull nga gripi spanjoll, aftësitë kërkimore, përfshi zhvillimin e antibiotikëve, si dhe përmirësimi i kushteve sanitare, higjienës dhe kujdesit mjekësor, do të thotë se kemi disa armë për t’u mbrojtur kundër një shpërthimi të madh të ndonjë sëmundje.

Interneti dhe kanalet e tjera moderne të përhapjes së informacionit po tregohen të rëndësishme- por po kaq e vërtetë është se në rast të një pandemie globale, autoritetet duhet të shpenzojnë shumë kohë për të kundërshtuar dezinformacionin online.

Në rast të Sëmundjes X, që shfaqet si murtajë e shekullit të 21-të, nuk është e pakonceptueshme që aeroportet dhe mbase edhe qytetet të mbyllen dhe të karantinohen- dhe nuk është e pamundur që ata brenda zonës së karantinës të paguajnë një çmim të tmerrshëm, vdekjeprurës.

Shpërthimi i virusit në Vuhan mund të jetë vetëm një dridhje tjetër. Por pak duhet të kenë dyshime. Problemi i maktheve është se ato janë reflektime të realitetit. Siç e tregon e shkuara, ndonjëherë ato bëhen realitet".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Tuci24/02/2020 21:59

Sa shkrim i mire si ky publikoni gjithmone se te ngre optimizmin.

Shto koment

Denonco