'Më pak panik nga meningokoku!' - Nga Dr. Tritan Kalo

'Më pak panik nga meningokoku!' - Nga Dr. Tritan Kalo

11:15, 16/01/2020
A+ Aa A-

Nga Dr. Tritan Kalo, mjek infeksionist, tropikalist dhe reanimator i sëmundjeve infective

"Pak vëmendje dhe durim për ta lexuar deri në fund këtë informacion qartësues. Në kuadër të më të fundit PPP (Protagonizëm Panikndjellës dhe Përfues), që përfshihet edhe ajo në lëvizjen KÇK (Kap Ç’të Kapësh), pa asnjë arësye objektive, shkencore, epidemiologjike e logjike, është krijuar një panik i pajustifikueshëm, deontologjikisht i papranueshëm dhe ligjërisht i dënueshëm, në lidhje me infeksionet e cipave të trurit nga Neisseria meningitidis ose sikundër më shpesh ky mikroorganizëm njihet nga meningokoku.

Ju kolegë, miq e bashkëqytetarë që jo pak më keni telefonuar apo shkruar këto ditë, për t’ju sqaruar edhe më shumë po ju sjell informacionin më të fundmit të ISHP-së (Institutit të Shëndetit Publik):

“Infeksionet e shkaktuara nga N.meningitidis apo Meningokoku njihen në vendin tonë, ku midis tyre vendin kryesor e zë Meningitis bacterialis i shkaktuar nga ky bakter.

Gjatë viteve 2001 – 2019 janë raportuar 133 raste, pra në 20 vitet 2001-2019 kemi 133 raste të raportuara në të gjithë vendin, ose mezatarisht 6.6 raste në vit, TK.

Gjatë vitit 2019 janë raportuar si Meningit bakterial meningokoksik 5 raste (0.2 incidence raste/100.000 banorë), Meningite bakteriale jo meningokoksik 18 raste (0.6 incidence raste/100.000 banore) dhe si Meningite virale aseptike 7 raste (0.2 incidence, raste/100.000 banore).” (ISHP)

Sa mijëra e mijëra të sëmurë trajtohen në Shqipëri me infeksione nga më të ndryshmet, përse bëhët gjithë kjo zhurmë për diçka që nuk përbën asnjë shqetësim kombëtar klinik dhe epidemiologjik?!

Jemi në një situatë jo pak të ngarkuar epidemiologjike me infeksione stinore respiratore, sidomos me grip (AH1N1, AH3N2 dhe B), por aspak shqetësuese për infeksionet nga N. meningitides.

Përkujdesi për mospërhapjen e këtyre infeksioneve respiratore përfshirë edhe gripin, si infeksione që merren në mënyrë aerogjene, pra nga rrugët e frymëmarjes, ndikon njëkohësisht në uljen e mundësisë së infektimit nga mikroorganizma të tjerë, që përhapen me këtë rrugë përfshirë edhe N. meningitidis.

Përse gjithë kjo tollovi për vaksinim ndaj Meningokokut, kur një vaksinim i tillë nuk përfshihet në skemat e Vaksinimit të Detyrueshëm në asnjë vend të botës?

Për profilaksinë e përhapjes në personat e kontaktit të ngushtë me një të sëmurë të tillë, ka mundësi efektive terapeutike antibakteriale (Ciprofloxacin, Rifampicine), gjë për të cilën do të merni këshillat e duhura dhe shumë të vyera nga mjekët trajtues të tyre, përpos vaksinimit vetëm në disa raste specifike.

Nëse shkoni në Mekë për peligrinazh në këtë vend të shenjtë ose për arsye pune në disa vende afrikane, informohuni sepse për shkak të incidencës së lartë, pra të numrit mjaft të lartë të Meningiteve bakterialë nga N. meningitides në këto vende (“African meningitis”), bëhet i detyrueshëm vaksinimi para vajtjes atje.

Ju lutem, më pak panik dhe më shumë arsyetim logjik. Jeta vazhdon."

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco