Qeveria e re e Kosovës zgjidhet me shumicë minimale të votave

Qeveria e re e Kosovës zgjidhet me shumicë minimale të votave

07:50, 10/09/2017
A+ Aa A-
Kuvendi i Kosovës zgjodhi me shumicë minimale të votave Qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinajn. Kabineti i ri qeveritar u zgjodh me 61 vota “për” dhe një votë abstenuese.

Në momentin e votimit, në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin të pranishëm vetëm 63 deputetë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës e braktisën sallën para prezantimit të kandidatëve për anëtarë të kabinetit qeveritar dhe votimit të tyre në kuvend.

Para se në lëshonin sallën, shefat e këtyre dy grupeve parlamentare, Glauk Konjufca dhe Avdullah Hoti, kërkuan që në seancë të lejohet debat lidhur me ekspozeun e mandatarit për kryeministër, Ramush Haradinaj, dhe për kandidatët për ministra.

Konjufca dhe Hoti e akuzuan rëndë koalicionin PAN-AKR se po krijonte një shumicë minimale në kuvend dhe një qeveri që do të jetë plotësisht e varur nga Beogradi, i cili dikton dhe kontrollon plotësisht Listën Serbe, e cila u bë pjesë e koalicionit qeverisës të Kosovës.

Hoti paralajmëroi se LDK dhe Vetëvendosje do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme të kuvendit, për të debatuar për programin qeverisës të kabinetit të kryeministrit Haradinaj.

Haradinaj, duke falënderuar deputetët që ia dhanë besimin, bëri vetëm një urim të shkurtër; “Na priftë e mbarë!’

Seanca u mbyll pas betimit të kabintetit të ri qeveritar dhe intonimit të himnit të Kosovës.

Mbështetësit e kryeministrit Haradinaj shkrepën fishekjarre para ndërtesë së Kuvendit të Kosovës.

 

Përbërja e Qeverisë Haradinaj:

Kryeministër: Ramush Haradinaj

Zëvendëskryeministra: Behgjet Pacolli (AKR), Enver Hoxhaj (PDK), Fatmir Limaj (Nisma), Dalibor Jevtiq (Lista Serbe) dhe Dardan Gashi.

Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës: Rrustem Berisha (AAK)

Ministër i Infrastrukturës: Pal Lekaj (AAK)

Ministër i Financave: Bedri Hamza (PDK)

Ministër i Shëndetësisë: Uran Ismaili (PDK)

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit: Kujtim Gashi (PDK)

Ministre e Integrimeve Evropiane: Dhurata Hoxha (PDK)

Ministër i Drejtësisë: Abelard Tahiri (PDK)

Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë: Besim Beqaj (PDK)

Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale: Skender Reçica (Nisma)

Ministër i  Arsimit: Shyqeri Bytyqi (Nisma)

Ministër i Tregtisë dhe Industrisë: Bajram Hasani (Nisma)

Ministër i Zhvillimit Ekonomik: Valdrin Lluka (AKR)

Ministre e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor: Albena Reshitaj (AKR)

Ministër i Diasporës dhe Investimeve: Dardan Gashi

Ministër për Kthim dhe Komunitete: Delibor Jevtiq (Lista Serbe)

Ministër i Pushtetit Lokal: Ivan Teodosijeviq (Lista Serbe)

Ministër i Bujqësisë: Nenad Rikalo (Lista Serbe)

Ministër i Zhvillimit Rural: Rasim Demiri (Vakat)

Ministër i Administratës Publike: Mahir Jagxhillar (TDP)/(R. Muçolli, Illyria)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco