Kryengritja e dhjetëmujore në Serbi, e shoqëruar me dhunë policore dhe represion ndaj qytetarëve, po trondit opinionin ndërkombëtar. Shoqata Gjermane e Politikës së Jashtme në Berlin organizoi një panel me ekspertë gjermanë dhe serbë, duke theksuar se kriza në Beograd është një provë serioze për politikën e zgjerimit të BE-së.
Gazetari i Deutsche Welle, Srećko Matić, raportoi se edhe pse ishin ftuar, përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane (PPE) nuk morën pjesë. Ai theksoi se CDU dhe vetë PPE mund të jenë duke rishikuar qëndrimin ndaj partisë së Vuçiçit, SNS, për shkak të revoltës dhe dhunës shtetërore në Serbi.
Panelistët, mes tyre Manuel Saracin nga të Gjelbrit dhe ekspertë të tjerë të njohur, deklaruan hapur se Aleksandar Vuçiç është pjesë e problemit dhe se qeveria federale gjermane duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e krizës. Për herë të parë, në qarqe elitare gjermane po artikulohet qartë se Serbia nuk ka problem vetëm me protestat apo ekonominë, por me vetë presidentin autoritar.
“Fakti që në Berlin po thuhet publikisht se Vuçiç është pjesë e problemit, dhe jo zgjidhjes, është një sinjal dramatik. Tani nuk po pranohen më justifikimet, por po kërkohen shpjegime nga Beogradi,” theksoi Matić.
Në panel u trajtua edhe çështja e minierave të litiumit në Luginën e Jadrës, duke nxjerrë në pah lidhjet e dyshimta mes regjimit të Vuçiçit dhe interesave të huaja ekonomike, të cilat kanë ndezur edhe më shumë zemërimin e qytetarëve serbë.
© SYRI.net