Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Italisë, Antonio Tajani, ndodhet në një vizitë zyrtare në Shkup, ku u prit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, raporton Anadolu.
Ministrat Mucunski dhe Tajani fillimisht zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga takimi i delegacioneve të dy ministrive.Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministrat shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore që janë ndërtuar prej tri dekadash.
Mucunski theksoi se kjo është vizita e parë e një ministri të Punëve të Jashtme nga një vend anëtar i BE-së pas formimit të qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut.
“Italia është dhe mbetet një nga mbështetësit më të mëdhenj të synimeve tona strategjike dhe të politikës së jashtme, veçanërisht kur bëhet fjalë për anëtarësimin e plotë në BE”, tha Mucunski.
Ai shtoi se është biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik, me qëllim të rritjes së tregtisë, duke kujtuar se Italia është një nga dhjetë partnerët më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë së Veriut.Ndërkaq, Tajani e vlerësoi takimin me kolegun maqedonas si “shumë pozitiv”, duke shtuar se vizita e tij është mesazh i qartë për rëndësinë e madhe që ka Ballkani për Italinë.
Ai gjithashtu theksoi përkushtimin e Italisë ndaj Maqedonisë së Veriut “për të qenë anëtare e plotë e BE-së në kohën më të shkurtër të mundshme”.
Kryediplomati italian njoftoi gjithashtu organizimin e një forumi biznesi me sipërmarrës italianë, si dhe një nismë për përshpejtimin e Korridorit 8, i cili lidh Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.© SYRI.net