Ambasada amerikane në Sarajevë i përgjigjet Vuçiçit: Prona është e shtetit

Ambasada amerikane në Sarajevë i përgjigjet Vuçiçit: Prona është e shtetit

08:12, 12/06/2024
A+ Aa A-

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë u është përgjigjur të martën pyetjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me çështjen e pronës shtetërore në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se është e qartë se prona shtetërore i përket shtetit. Më herët të martën, Vuçiq e akuzoi Ambasadën amerikane në Sarajevë se ka shkaktuar “krizë” në Bosnje e Hercegovinë (BeH) duke pretenduar se prona shtetërore nuk u takon entiteteve por shtetit.

“Si, ku dhe prej kur shkruhet diku se prona është e autoriteteve qendrore dhe jo e entiteteve”, shkroi Vuçiq në llogarinë e vet në Instagram. Ambasada amerikane iu përgjigj pa humbur kohë duke thënë se nuk ka nevojë të rishikohet historia ligjore e dokumentuar mirë, e as vendimet gjyqësore në lidhje me pronën shtetërore në BeH.

“Siç tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në një fjalim në shkurt 2024: ‘Ka një mënyrë për të folur për pronën duke folur për të në institucionet përkatëse. Por pikënisja është ende e qartë: prona i përket shtetit’”, tha Ambasada Amerikane në Sarajevë.

O’Brien tha në shkurt se në vitin 2001 BeH nënshkroi Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e cila u ratifikua nga Asambleja Parlamentare e BeH dhe ia atribuoi pronën shtetërore BeH-së, e jo entiteteve të saj. Bosnje e Hercegovina përbëhet nga federata bosnjako-kroate dhe nga Republika Sërpska, nën një qeveri të dobët qendrore.

Bosnje e Hercegovina nuk ka ligj për pronën shtetërore tash e 20 vjet për shkak të mungesës së konsensusit politik. Entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, është përpjekur vazhdimisht të zbatojë një ligj pronësie që synon transferimin e pronës shtetërore të Bosnjës te Republika Sërpska, pavarësisht se kjo është jokushtetuese.

Vuçiqit ngriti pyetje për pronën shtetërore në BeH pas kritikave të Ambasadës Amerikane në Sarajevë në lidhje me të ashtuquajturin kuvendin gjithëserb, të mbajtur në Beograd më 8 qershor. Ai kuvend u organizua nën sloganin“Një popull, një kuvend – Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb.

Të hënën, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se Deklarata e përbashkët mes Serbisë dhe Republika Sërpska buron nga dezinformatat ligjore dhe është e mbushur me plot gabime. Republika Sërpska është përpjekur në të kaluarën të nxjerrë ligje që do të rregullonin çështjen e pronës në nivel entiteti. Por, përpjekjet e saj janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës.

Ambasada amerikane rikujtoi në maj 2023 se “sipas ligjit ndërkombëtar dhe praktikës së vendosur shtetërore, vetëm shtetet kanë autoritetin e nevojshëm për të trashëguar të drejtat dhe detyrimet e shteteve paraardhëse, dhe në këtë rast, është shteti i Bosnje e Hercegovinës”. Në atë kohë, ajo theksoi se kjo çështje ishte zgjidhur me Kushtetutën e BeH – e cila është pjesë e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit – e cila thotë: “Republika e Bosnje e Hercegovinës, emri zyrtar i së cilës tani e tutje do të jetë ‘Bosnje e Hercegovina’, do ta vazhdojë ekzistencën e saj ligjore sipas të drejtës ndërkombëtare si shtet”.

Në shtator të vitit 2004, Këshilli për Zbatimin e Paqes i kërkoi Bosnje e Hercegovinës që të gjente një zgjidhje të përhershme për çështjen e pronës shtetërore dhe dhënia e kësaj prone u ndalua me ligjin e vendosur një vit më vonë nga përfaqësuesi i lartë i atëhershëm në Bosnje e Hercegovinë, Paddy Ashdoun./REL/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco