Ish-kryeprokurori i Posaçëm i Malit të Zi akuzohet se ndihmoi Belivukun

Ish-kryeprokurori i Posaçëm i Malit të Zi akuzohet se ndihmoi Belivukun

09:19, 15/04/2024
A+ Aa A-

Ish-kryeprokurori i posaçëm i Malit të Zi Milivoje Katniç dhe ish-zyrtari i lartë i policisë malazeze, Zoran Lazoviç u arrestuan të dielën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme të Malit të Zi, ka njoftuar zëdhënësi i Prokurorisë.

“Katniç dhe Lazoviç janë privuar nga liria për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra penale të krijimit të organizatës kriminale dhe shpërdorim të detyrës zyrtare”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Posaçme, Vukash Radonjiç.

Radonjiç ka deklaruar se arrestimi i ish-shefit të Prokurorisë së Posaçme dhe ish-ndihmës drejtorit të policisë është bazuar në bashkëpunimin e prokurorisë me EUROPOL-in, Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit.

“Është në vazhdim kontrolli i banesave dhe objekteve të tyre në Podgoricë, Cetinë, Budva dhe Bijelo Polje, për të gjetur gjurmë të veprës penale dhe sende që mund të jenë të dobishme për procedurën”, tha zëdhënësi Radonjiç. Ai ka shtuar se Katniç dhe Lazoviç do të dërgohen në Prokurorinë e Posaçme për t'u marrë në pyetje brenda afatit ligjor.

Mediat e Malit të Zi raportojnë se dyshja e arrestuar dyshohet se ka ndihmuar gangsterin famëkeq serb, Veljko Belivuk. Ky i fundit dyshohet si lidhje e ngushtë e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Milivoje Katniç ishte kryeprokuror posaçëm që nga viti 2015 dhe në atë post ka ardhur nga pozita e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit. Ai u shkarkua në fillim të vitit 2022, një vit e gjysmë pas ndryshimit të qeverisë në Mal të Zi, kur Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit malazez, Milo Gjukanoviç, kaloi në opozitë pas tridhjetë vitesh qeverisje.

Autoritetet e reja e akuzuan Katniçin për persekutimin e opozitës dhe mbrojtjen e zyrtarëve më të lartë të DPS-së, përfshirë ish presidentin Gjukanoviç.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco