Ndryshimet klimatike në Greqi, këmbanë alarmi për fermerët

Ndryshimet klimatike në Greqi, këmbanë alarmi për fermerët

10:57, 26/02/2024
A+ Aa A-

I ulur në një motobarkë të vogël, fermeri Babis Evangelinos ecën mbi tokën që dikur kultivonte bajame në Thesalinë në Greqinë qendrore.

Parcela e tij e vogël, pranë liqenit Karla, është midis dhjetëra mijëra hektarësh me fusha pambuku, bajamesh dhe tokash të tjera që u shkatërruan nga përmbytjet e paprecedentë vitin e kaluar në një nga shportat kryesore të bukës në Greqi.

Pesë muaj më vonë, pjesa më e madhe e zonës mbeten ende nën ujë. Një stacion pompimi i destinuar për të ndaluar përmbytjet është mbyllur në një liqen të cekët. 

“Situata është zhgënjyese. Nuk mund ta imagjinoja kurrë që ato përmbytje do të shkatërronin çdo gjë. Dhe kurrë nuk mund ta imagjinoja se do të më duhej të hipja në një varkë për të parë tokën time. Vepra e një jete është shkatërruar.”

Situata ka nxitur zemërimin e fermerëve të cilët, si shumë në të gjithë Evropën, janë ngritur në protesta teksa përballen me kostot të larta jetese dhe ndryshime klimatike që po shkatërrojnë tokat dhe të mbjellat e tyre.

Fermerët nga afër liqenit Karla morën pjesë në protesta në Athinë, me një traktor që mbante një pankartë ku shkruhej: Karla, 180,000 hektarë tokë nën ujë, duam arat tona të kthehen siç ishin.

Evangelinos priste që nga mbjellja e bajameve të merrte rreth 10 tonë gjatë sezonit, që përkthehet në një fitim rreth 20,000 euro, por arriti vetëm 40% të kësaj. Tani ai nuk është i sigurt se si do t’i paguajë shpenzimet e universitetit të dy vajzave të tij.

“Është shumë e trishtueshme. Sepse ato pemë që shihni tani janë 20 dhe 30 vjeçare. Deri para përmbytjeve i mbillja dhe çdo vit kujdesesha për to. Kur jepte fryte dhe e shihja se përpjekjet e mia ishin shpërblyer, prisja më pas prodhimin për të mbajtur familjen, por gjithë sakrifica tani humbi.”

Edhe Greqia është përfshirë nga moti ekstrem. Zjarret shkatërruan veriun vitin e kaluar, më pas stuhia Daniel shkatërroi një pjesë të madhe të tokave në Greqinë qendrore shtatorin e kaluar duke ngritur pikëpyetje në lidhje me aftësinë e vendit mesdhetar për t’u përballur me një klimë gjithnjë e më të çrregullt.

Edhe një stuhi tjetër, Elias, përmbyti rreth 35,000 hektarë pranë liqenit Karla në fushën e Thesalisë, i cili përbën 25% të prodhimit bujqësor të Greqisë dhe 5% të PBB-së. Rreth 30,000 fermerë u prekën në të gjithë krahinën.

“Janë disa mijëra familje këtu. Disa prej tyre kanë kërkuar të ikin. A duan këta njerëz që të ndryshojë peizazhi, a duam të ndryshojë prodhimi bujqësor në një zonë të madhe në Thesali?”

Liqeni Karla ishte drenazhuar në vitet 1960 për të rritur tokën bujqësore dhe një pjesë e vogël e saj u rikuperua në vitet e fundit. Zona pranë Liqenit ka një dalje të vogël të krijuar nga njeriu dhe një kompani bujqësore holandeze e punësuar nga qeveria për të vlerësuar dëmin, ka bërë të ditur se mund të duhen deri në dy vjet që niveli i uji të ulët.

“Nëse nuk gjenden para për t’i kompensuar këta njerëz për tre vjet derisa të jenë në gjendje të rindërtojnë jetën e tyre, do të kemi probleme shumë serioze.”

Duke iu përgjigjur protestave të fermerëve për kostot në rritje, qeveria e Greqisë ka ofruar zbritje në faturat e energjisë dhe ka zgjatur një zbritje tatimore për naftën. Nuk është e qartë nëse qeveria, e kufizuar në para pas një krize financiare dhjetëvjeçare, do të ofrojë më shumë. Në Thesali, fermerët deri më tani kanë marrë 150 milionë euro si kompensim për përmbytjet. Qeveria ka bërë të ditur se 110 milionë euro të tjera kompesim do të vijnë në korrik të këtij viti.

Klan News

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco