BE-ja i kërkon Serbisë përmirësimin e procesit zgjedhor

BE-ja i kërkon Serbisë përmirësimin e procesit zgjedhor

17:15, 19/12/2023
A+ Aa A-

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë të martën se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, pasi vëzhguesit e pavarur gjetën parregullsi shqetësuese, përfshirë blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme të së dielës.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim Oliver Varhelyi, thanë në një deklaratë të përbashkët se ‘funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok’.

Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se ‘trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi’.

Sipas kësaj organizate këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave ‘krijuan një fushë të pabarabartë për konkurrencë’. Vëzhguesit dhe mediat e pavarura raportuan se serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd, rreth 40,000 dokumente identifikimi u janë lëshuar personave që nuk jetojnë në kryeqytet, ndërkohë që në një qytet verior të Serbisë një ekip vëzhguesish është sulmuar dhe makina e tyre është goditur me shkopinj bejsbolli. Partia në pushtet është akuzuar se ka paguar votuesit apo ka bërë trysni mbi ta.

Zyrtarët e pushtetit ngulën këmbë të martën se zgjedhjet e parakohshme të fundjavës ishin të lira dhe të ndershme me gjithë kritikat dhe tensionet politike pas votimeve.

Disa mijëra veta protestuan të hënën me pretendimet për mashtrim në zgjedhjet për pushtetin lokal në Beograd dhe më shumë protesta janë paralajmëruar për sot.

Sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare serbe e presidentit Vuçiç doli fituese në zgjedhje, por kundërshtarët e saj kryesorë nga aleanca ‘Serbia kundër dhunës’, thonë se atyre iu grabit fitorja në Beograd.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco