Talat Xhaferi kryeministër, partitë në Maqedoni përgatiten për qeveri teknike dhe zgjedhje

Talat Xhaferi kryeministër, partitë në Maqedoni përgatiten për qeveri teknike dhe zgjedhje

11:30, 09/12/2023
A+ Aa A-

Shkup – Një muaj e gjysmë para formimit të qeverisë kalimtare, tashmë dihet emri i kryeministrit të ri teknik të Maqedonisë së Veriut. Këtë pozitë duhet ta marrë kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ndërsa Jovan Mitreski nga LSDM të jetë kryetar i Kuvendit deri në shpërbërjen e tij.

Qeveria kalimtare pritet të votohet më 28 janar. Partitë politike po punojnë për ekipimin kadrovik të kësaj qeverie dhe njëkohësisht për programet dhe përzgjedhjen e kandidatëve për president, por edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit, njofton Zhurnal.mk.

Xhaferi do të jetë kryeministër në Qeverinë e tretë kalimtare nga viti 2016 e tutje. Para tij kryeministra në të ashtuquajturën Qeveria e Përzhinos ishte Emil Dimitriev (2016) dhe ministri aktual i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski (2020).

Sipas Ligjit për Qeverinë dhe marrëveshjen e vitit 2015, opozita propozon ministra për Punë të Brendshme dhe për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa në disa departamente ka edhe zëvendësministra shtesë.

Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në mbledhjen e djeshme në selinë e partisë vendosi që kryetari aktual i Kuvendit Talat Xhaferi të jetë kryetar teknik i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nga 28 janari deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Në krye të Shtabit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2024 është zgjedhur Fatmir Besimi, ndërsa kryetari i partisë, Ali Ahmeti, është i autorizuar që të vazhdojë bisedimet me partitë politike dhe të vendosë për koalicione të mundshme për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Xhaferi, sërish, në një video-mesazh ka theksuar se për të është nder i veçantë që i është dhënë besimi nga autoritetet partiake për nominim në pozitën e radhës – kryeministër teknik në Qeveri në 100 ditët e fundit.

Dhe këtë funksion me respektin dhe përgjegjësinë e duhur do ta kryej unë si përgjigje ndaj mbështetjes së shprehur nga autoritetet partiake, e mbi të gjitha nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, tha Xhaferi në një video-deklaratë.

Qeveria kalimtare zgjidhet njëqind ditë para zgjedhjeve. Sipas Ligjit për Qeverinë, kryeministri aktual fillimisht dorëzon dorëheqjen, të cilën Kuvendi duhet ta konstatojë. Kjo do të thotë dorëheqje e gjithë Qeverisë. Presidenti i shtetit ia beson mandatin kandidatit për kryeministër të përkohshëm për përbërjen e kabinetit. Qeveria zgjidhet nga Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Në Qeverinë kalimtare, ministrin e Punëve të Brendshme dhe ministrin e Punës dhe Politikës Sociale e propozon partia opozitare me numër më të madh deputetësh (VMRO-DPMNE). Me propozim të kryeministrit, Kuvendi emëron zëvendësministra shtesë për ministrat e Punëve të Brendshme dhe Punës dhe Politikës Sociale nga radhët e pushtetit (LSDM), por edhe nga opozita, në departamentet e financave, bujqësisë, shoqërisë informatike dhe administratës.

Mandati i Qeverisë kalimtare zgjat nga zgjedhjet deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet për deputetë.

Detyra kryesore e Qeverisë kalimtare është organizimi i zgjedhjeve parlamentare të ndershme dhe demokratike.

Ministri teknik i Punëve të Brendshme do të mund të kryejë maksimumi 15 shkarkime ose sistemime, në një pozicion më të ulët ose më të lartë të bartësve të një pozicioni drejtues në Ministri.

Nëse emëron drejtues të rinj, ai ka për detyrë të emërojë zëvendësit e tyre me propozimin e zëvendësministrit shtesë. Të dy kanë nënshkrime të lidhura. Nëse një akt nënshkruhet vetëm nga një person, ai nuk do të jetë i vlefshëm. Ministri ka të drejtë të punësojë njerëz për nevojat e kabinetit të tij. Mund të kryejë gjithashtu dislokime horizontale të punonjësve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco