Vrasja mizore e 14-vjeçares në Maqedoninë e Veriut/ Shumë pyetje mbeten pa përgjigje

Vrasja mizore e 14-vjeçares në Maqedoninë e Veriut/ Shumë pyetje mbeten pa përgjigje

18:50, 04/12/2023
A+ Aa A-

Vrasja e dyfishtë e një adoleshenteje dhe një berberi 74-vjeçar në pension – me sa duket nga i njëjti grup - ka ngritur shumë pyetje pa përgjigje, si dhe ka ndezur një shkëmbim akuzash politike.

BIRN

Një rast i çuditshëm i një rrëmbimi dhe vrasjeje të dyfishtë, përfshirë atë të një vajze 14-vjeçare, ka tronditur Maqedoninë e Veriut, pasi policia arrestoi tre të dyshuar dhe gjeti trupat e viktimave të qëlluara me armë zjarri.

Tre nga pesë të dyshuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorcevska nga Shkupi, e cila u zhduk shtatë ditë më parë, si dhe për vrasjen e një personi tjetër, berberit në pension nga Velesi, Pance Zezovski, janë ndaluar dhe kanë pranuar përfshirjen, tha të hënën kreu i Prokurorisë së Shkupit, Gavril Bubevski.

Të dielën në mbrëmje, autoritetet konfirmuan se kishin gjetur trupat e të dy viktimave, të cilët besohet se janë vrarë nga i njëjti grup. Ata u zbuluan në lokacione të ndryshme, pasi të dyshuarit zbuluan varret e tyre të cekëta.

Megjithatë, Bubevski tha se i dyshuari kryesor për vrasjet është ende i lirë.

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, i cili mori pjesë në të njëjtën konferencë për shtyp, tha se ata besojnë se i dyshuari kryesor, për të cilin ai konfirmoi indirekt ishte një biznesmen vendas dhe një aktivist i krahut të djathtë, Ljupco Palevski, u largua nga vendi disa ditë më parë, duke ikur fillimisht për në Serbinë fqinje dhe pastaj në Bullgari.

“Pas kësaj, po hetojmë ende gjurmët e tij”, tha Spasovski.

Më shumë pyetje sesa përgjigje

Konferenca e përbashkët për shtyp e së hënës kishte për qëllim qetësimin e situatës, por përfundoi duke ngritur edhe më shumë pyetje.

Ndërsa prokurori dhe ministri dyshojnë se motivi i rrëmbimit të vajzës së re ishte zhvatja e parave nga nëna e saj, ata thanë se ende nuk kanë asnjë shpjegim se pse hetimet fillestare treguan se adoleshentja ishte vrarë vetëm disa orë pas rrëmbimit, i cili ndodhi më 27 nëntor brenda korridorit të pallatit të saj.

“Kjo është një çështje që po zhvillohet nga ora në orë. Nuk mund t'ju jap përgjigje për gjithçka në këtë moment pasi hetimi duhet të vazhdojë”, tha Bubevski.

Dhe ndërsa autoritetet thanë se dëshmitë e të dyshuarve sugjerojnë se babai i vajzës kishte zbuluar informacione për lëvizjen e saj tek vrasësi/t i/e dyshuar, Spasovski nuk ishte në gjendje të përgjigjej nëse prindërit e vajzës ishin ndarë.

Bubevski tha se këto pretendime janë vetëm rrethanore dhe nuk ishte e qartë nëse babai është gjithashtu një nga të dyshuarit.

Mister është edhe lidhja e vajzës me pensionistin nga Velesi. Autoritetet thonë se e vetmja lidhje është makina e berberit, e cila u përdor në rrëmbimin e vajzës dhe më pas u dogj në afërsi të Shkupit, për t'u gjetur më vonë nga policia.

“Burri mund të ketë qenë një viktimë rrethanore, vetëm që automjeti i tij të mund të përdorej. Nga dëshmitë e të dyshuarve të ndaluar, ai dyshohet se i kishte borxh rreth 500 euro të dyshuarit të parë, kështu që ndoshta kjo ishte arsyeja pse ai ishte zgjedhur”, tha Bubevski.

Zezovski, 74 vjeç, u raportua i zhdukur më 24 nëntor dhe autoritetet tani për tani thanë se nuk kanë arsye të besojnë se dy viktimat ose familjet e tyre e njihnin njëri-tjetrin.

Shkëmbime akuzash politike

Partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE ka kërkuar të hënën “dorëheqjen e menjëhershme” të ministrit të Brendshëm, Spasovski, duke e akuzuar atë për paaftësi.

Ajo gjithashtu pretendoi se i dyshuari kryesor që është në arrati ishte i afërt me socialdemokratët në pushtet, të cilët ata i akuzojnë për korrupsion të gjerë.

Ai “është një ish-zyrtar i lartë i socialdemokratëve në pushtet, ndër të tjera, pjesë e një bande kriminale shantazhi … e cila është qartazi pranë qeverisë,” shkroi opozita.

Nga të dhënat e disponueshme, në vitet 1990, Palevski ishte një anëtar i shquar i degës së Shkupit të socialdemokratëve tani në pushtet, i cili ka qenë gjithashtu i përfshirë në sektorin e ndërtimit.

Por gjatë dekadës së kaluar pikëpamjet e tij politike ishin zhvendosur në të djathtën ekstreme, aq sa ai është një nga themeluesit e partisë margjinale të krahut të djathtë “Desna” (E djathta), postimet e së cilës në mediat sociale, përkrahin këndvështrimet antiperëndimore, të vëllazërisë pan-sllave dhe ato pro-ruse.

I njohur vetëm për një pjesë të vogël të popullsisë, Palevski kohët e fundit ka drejtuar një podcast politik dhe dhe shpesh ka postuar pikëpamjet e tij politike në internet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco