O’Brien: Rusia t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të OSBE-së

O’Brien: Rusia t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të OSBE-së

17:56, 30/11/2023
A+ Aa A-

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, në samitin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që po i zhvillon punimet në Shkup, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.

“Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, ka thënë O’Brien.

Ai ka theksuar se pavarësisht atyre shteteve që janë përpjekur të bllokojnë punën e organizatës, OSBE-ja do të vazhdojë të funksionojë.

“Tani është zgjedhje e shteteve që janë përpjekur të bllokonin punën e kësaj organizate, për të parë gatishmërinë e tyre nëse do të qëndrojnë me komunitetin e civilizuar, bazuar në aktin final të Helsinkit, apo duan të vazhdojnë pengesat e tyre. OSBE-ja do të jetë mirë, prapëseprapë, por, ka rëndësi për ta të zgjedhin, nëse do të vazhdojnë të jenë me ne në këtë përpjekje”, ka deklaruar O’Brien.

Në samitin e OSBE-së po marrin pjesë diplomatë të 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

Baerbock: Lavrov ka ardhur të flasë, jo të dëgjojë të tjerët

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në fjalimin e saj në samitin e OSBE-së në Shkup ka reaguar për mungesën e pranisë së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, derisa po mbante fjalimin e saj para pjesëmarrësve të samitit.

“Kësaj here në këtë sallë është e përfaqësuar edhe Rusia, edhe pse jo ministri i saj, i cili ka ardhur vetëm për të folur e jo për të dëgjuar të tjerët, unë ju them – ndaloni këtë luftë, e cila është e drejtuar edhe kundër OSBE-së”, ka deklaruar Baerbock.

Ajo ka theksuar se kjo nuk kërkon negociata, lëshime nga Ukraina, por vetëm një vendim të Rusisë për të respektuar parimet e OSBE-së dhe tërheqjen e trupave të saj.

Baerbock u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare, të cilat duan të dëgjojnë, që të bëjnë gjithçka për të ruajtur efektivitetin e OSBE-së përmes një vendimi të përbashkët në favor të rendit evropian të sigurisë.

Ndër tjerash, Baerbock ka thënë se bashkëpunimi në kuadër të organizatës duhet të forcohet më tej me gjithë pengesat që Rusia ka vendosur për më shumë se një vit.

Fakti që Rusia dështoi të shkatërrojë OSBE-në, "është një kontribut i rëndësishëm për rendin tonë të paqes", është shprehur shefja e diplomacisë gjermane, duke theksuar se "ky rend paqeje duhet të vazhdojë".

Në fjalën e hapjes së punimeve, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, si nikoqir i samitit, është përqendruar në sfidat, me të cilat është përballuar OSBE-ja pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës.

“Ne kemi kryesuar vitin më të vështirë për OSBE-në, duke pasur parasysh se organizata është përballur me një sërë sfidash në dritën e agresionit të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës. Por, shpresoj që do të arrijmë t'i miratojmë vendimet për të zgjedhur kryesuesin e ri dhe katër pozicionet më të rëndësishme në OSBE, si dhe buxhetin për funksionimin e organizatës", ka thënë Kovaçevski, teksa ka vënë theksin te takimi gjatë së mërkurës me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, David Cameron.

"Duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo vend në mënyrën e vet dërgon mesazhe për agresionin e pajustifikuar të Rusisë kundër një shteti sovran, në Ukrainë. Disa vende e bëjnë këtë me mungesën e tyre, dhe disa me pikëpamje të shprehura qartë”, ka thënë Kovaçevski.

Ai ka shtuar se agresioni rus kundër Ukrainës ka vazhduar "me intensitet të lartë dhe me pasoja të rënda dhe shkatërruese duke konfirmuar padrejtësinë e saj".

"Çdo ditë që kalon dhe çdo jetë e humbur po dëshmon ashpërsinë e agresionit dhe aktin e shkeljes flagrante të sovranitetit dhe të kartës së Kombeve të Bashkuara, parimet dhe angazhimet e OSBE-së, por para së gjithash vlerat njerëzore. Populli i Ukrainës meriton paqe dhe lufta duhet të ndërpritet. Arritja e paqes mbetet imperativ. Kjo luftë po vazhdon të rrënojë themelet e OSBE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.

Osmani: Rusia shkeli mbi sigurinë njerëzore dhe parimet e OSBE-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit me OSBE-në, u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në samit që të arrijnë një konsensus për Maltën si kryesuese e radhës me OSBE-në për vitin 2024.

Ai ka thënë se beson se konsensusi për Maltën, do të formalizohet të premten nga shtetet pjesëmarrëse të samitit.

Osmani ka pohuar faktin se OSBE-ja, gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut, është përballur me pasojat e agresionit rus ndaj Ukrainës duke shkelur rregullat e kësaj organizate dhe sigurinë evropiane dhe njerëzore.

“Kam tri mesazhe kyçe si paraardhës. Maqedonia e Veriut mori përsipër kryesimin me OSBE-në në një kohë lufte aktive dhe një kërcënimi për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Agresioni rus kundër Ukrainës shkeli rregullat e kësaj organizate dhe shkeli sigurinë evropiane dhe njerëzore, dialogun dhe shkatërroi jetën e njerëzve që duan të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga lufta. Në vend të interesit kolektiv, synohen interesa kombëtare egoiste. Kjo krijoi një mjedis të vështirë operativ dhe kundër kësaj ne mbetëm të vendosur për të shërbyer si mbrojtës të vlerave të OSBE-së dhe shumica e shteteve anëtare shmangën defetizmin [mposhtjen] dhe paraqitën sfida për ekzistencën e OSBE-së”, tha Osmani.

Lavrov: OSBE-ja është bërë vegël e BE-së

Ministri i Punëve të Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, në fjalimin e mbajtur në samit, ka akuzuar shtetet perëndimore dhe Aleancën Veri-atlantike për, siç është shprehur, “shkatërrimin e OSBE-së”, e cila, sipas tij, ndodhet në “gjendje të keqe dhe perspektiva të paqarta”.

“Vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Në vitin 1999, NATO kreu një agresion brutal të pamaskuar kundër Jugosllavisë - një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe, në vitin 2008, duke shkelur Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu hoq Kosova pa asnjë referendum”, ka deklaruar Lavrov.

“Ka qenë në traditën tonë që të kemi fjalime pozitive, por kjo nuk po ndodh sepse OSBE-ja është bërë vegël e Bashkimit Evropian”, ka thënë Lavrov.

Sipas shefit të diplomacisë ruse, “OSBE-ja ka heshtur, kur qytetarëve u është mohuar e drejta e përdorimit të rusishtes” edhe pse, sipas tij, “aktet ndërkombëtare garantonin përdorimin e gjuhëve për të gjitha minoritetet”.

Lavrov ka thënë se në Ukrainë është mohuar ekzistenca e komunitetit rus.

Ministri i Jashtëm rus i quajti “përpjekje të turpshme angazhimet për të pranuar Ukrainën - e kryesuar nga një regjim neo-nazist - në BE, pa radhë”.

Ai ka folur edhe për sanksionet që Perëndimi vendosi ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.

“Në një përpjekje për të shkatërruar ekonominë ruse, SHBA-ja dhe satelitët e saj evropianë kanë vendosur mijëra sanksione ndaj Rusisë, duke i dhënë fund bashkëpunimit të gjerë praktik midis Lindjes dhe Perëndimit në rajonin tonë dikur të përbashkët", është shprehur ai.

Sipas Lavrovit, Moldavia është viktima e radhës në luftën hibride të Perëndimit kundër Rusisë.

Disa nga ministrat e vendeve pjesëmarrës në samitin e OSBE-së në Shkup bojkotuan fjalimin e ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.

Ata u ngritën dhe u larguan nga salla menjëherë pasi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, paralajmëroi fjalimin e shefit të diplomacisë ruse.

Lavrov në Shkup përmes Turqisë dhe Greqisë

Ndryshe, Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit.Ndryshe, Lavrov arriti në kryeqytetin maqedonas, Shkup, në orët e para të 30 nëntorit.

Pjesëmarrja e diplomatit rus në samitin e OSBE-së paraprakisht ishte mundësuar nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

Por, avioni i Lavrovit u detyrua që të udhëtonte mbi Turqi dhe Greqi për të arritur në Maqedoni të Veriut pasi Bullgaria nuk lejoi avionin e Lavrovit të kalonte mbi hapësirën bullgare sepse leja e dhënë vlente vetëm për anëtarët e delegacionit të Lavrovit, në mesin e të cilëve ka edhe persona të sanksionuar nga BE-ja.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, që është nën sanksione të BE-së dhe e cila ishte në bordin e avionit, tha se prania e saj ishte arsyeja që Bullgaria refuzoi kalimin mbi hapësirën e saj.

Ajo e akuzoi Bullgarinë për “budallallëk” për shkak se refuzoi që avioni i Lavrovit të fluturonte mbi hapësirën ajrore bullgare.

Pjesëmarrja e diplomatit rus në samitin e OSBE-së ka shkaktuar debate e reagime të shumta, Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk i kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, mbajti takim me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto, në margjina të samitit të OSBE-së në Shkup, ka thënë Zakharova.

Takime tjera me shefin e diplomacisë ruse, tash për tash, nuk janë paralajmëruar nga delegacionet.

Darka joformale e diplomatëve një ditë para samitit

Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.

Kryediplomati amerikan pas darkës joformale është larguar nga Shkupi duke shmangur kështu praninë e tij në një sallë me homologun e tij rus, Lavrov.

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani, diplomati amerikan ka përgëzuar Maqedoninë e Veriut për kryesimin me sukses të OSBE-në, ndërsa ka mirëpritur edhe përzgjedhjen Maltës si kryesuesen e radhës me këtë organizatës gjatë vitit 2024.

“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në të.

Por, komente mbi pjesëmarrjen e diplomatit rus bëri përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, gjithashtu pjesëmarrës në darkën joformale të Këshillit Ministror të OSBE-së.

Borrell tha se “ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, duhet të dëgjojë nga pjesëmarrësit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup se pse Rusia është e izoluar dhe e sanksionuar dhe duhet t’ia përcjellë mesazhet Kremlinit”.

Gjatë punimeve të samitit, përveç vendimit për kryesuesin e radhës me OSBE-në, pjesëmarrësit duhet të miratojnë edhe vendimet tjera, si buxhetin dhe të caktojnë drejtuesit në pozitat kyçe të organizatës.

Në ditën e parë të Këshillit, të enjten, është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.

Takimi dyditor i Këshillit Ministror të OSBE-së është ngjarja më e madhe diplomatike që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

Autoritetet maqedonase kanë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë duke kufizuar qarkullimin në pjesët kryesore të Shkupit, ndërsa është shpallur edhe ditë pushimi në kryeqytet./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco