Shkup, dita e parë e takimit të Këshillit Ministror të OSBE-së

Shkup, dita e parë e takimit të Këshillit Ministror të OSBE-së

17:38, 30/11/2023
A+ Aa A-

Në Shkup filloi sot takimi i 30-të i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së, ku po debatohet mbi çështjet e sigurisë, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit, por dhe mbi të ardhmen e organizatës. Për shkak të pranisë së Ministrit rus të Punëve të jashtme Sergei Lavrov, konferencën e bojkotoi shefi i diplomacisë ukrainase, Dmytro Kuleba dhe ata të vendeve baltike. Një numër ministrash bënë thirrje për vazhdimin e armatimit të Ukrainës dhe për dhënien fund të agresionit rus në Ukrainë. Kryesimin e organizatës për vitin 2024 do ta marrë Malta në vend të Estonisë, pas bllokimit nga ana e Moskës.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë mblodhi në Shkup dhjetra delegacione të vendeve anëtare sa ka OSBE-ja për të diskutuar mbi një sërë çështjesh, por para së gjithash për të konfirmuar vazhdimin e organizatës, e ardhmja e së cilës, sipas kryesuesit në largim Bujar Osmani, ishte në pikëpyetje.

Në takim ishte edhe Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrvov, hera e parë që merr pjesë në një forum jashtë Rusisë pas fillimit të luftës në Ukrainë. Por, për shkak të pranisë së tij, Takimin Ministror e bojkotuan Ukraina dhe vendet baltike.

Lavrov mbërriti në Shkup me avion pasi kaloi mbi hapësirën e Detit të Zi, Turqisë dhe Greqisë, teksa Bullgaria nuk i kishte dhënë leje për shkak se në delegacionin rus ndodhej zëdhënsja e Ministrisë së jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, e cila kishte shkëmbyer më parë akuza me autoritetet bullgare.

Me të marrë fjalën shefi i diplomacisë ruse, një pjesë e delegacioneve u larguan nga salla në shenjë bojkoti. Zoti Lavrov tha se OSBE-ja ndodhet buzë greminës ndërsa akuzoi se Perëndimi po i vret shanset e ringjalljes së saj.

Shtetet e Bashkuara në takimin e sotëm po përfaqësohen nga Ndihmës-Sekretari i Shtetit James O’Brien. Sekretari Antony Blinken ishte mbrëmë në Shkup ku qëndroi në darkën joformale me Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së, para se të largohej për në Izrael. As nuk pritej që të ketë një takim në mes tij dhe ministrit rus Lavrov.

Zoti Blinken akuzoi Rusinë për shkeljet flagrante të çdo parimi thelbësor të përpjekjeve që nga Lufta e Ftohtë për lehtësimin e tensioneve Lindje – Perëndim, që çuan në formimin e OSBE-së dhe për përpjekjet e vazhdueshme për pengimin e punës së organizatës.

Sekretari amerikan, ndërkohë shprehu mirënjohje për rolin e Maqedonisë së Veriut për mënyrën e drejtimit në rrethana të vështira dhe sfiduese, siç tha, të OSBE-së.

Ndërkaq, Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel tha gjatë një konference shtypi mbrëmë se prania e Ministrit të Jashtëm rus, Lavrov në konferencë ishte një rast i mirë që ai t’i raportojë “shefit të Kremlinit se BE-ja dhe OSBE-ja mbeten të bashkuara në dënimin e sjelljes agresive të Rusisë”.

Një numër ministrash shprehën mbështetje për Ukrainën dhe të drejtën e saj për t’u vetëmbrojtur; bënë thirrje për furnizimin me armatim për Kievin dhe ndalimin e agresionit rus kundër Ukrainës.

Ministri shqiptar, Igli Hasani ishte njëri nga ata që drejtpërdrejt theksuan se Rusia është ajo që po kërcënon paqen rajonale dhe globale. Ai tha se Shqipëria është garantues i qëndrueshmërisë në Ballkan, ndërkohë që theksoi nevojën e zgjidhjes së mosmarrëveshjejeve midis Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut.

Këshilli Ministror i OSBE-së po diskuton për funksionimin e organizatës, e cila u ballafaqua me mjaft sfida; si dhe për sigurinë në më shumë pjersë të botës, mbi luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe çështje të tjera. Presidencën e radhës të OSBE-së për vitin 2024 pritet ta marrë Malta, pas kompromisit të arritur në selinë e organizatës në Vjenë. Kjo pritet të miratohet me konsensus në takimin e Shkupit. Takimi përfunon të premten, 1 dhjetor, me nënshkrimin e një Deklarate të përbashkët.

Takimi i OSBE-së në Shkup cilësohet një ngjarje historike për Maqedoninë e Veriut; më e madhja e këtij formati që është mbajtur ndonjëherë në vendin ballkanik.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco