Incidenti për skulpturat antike, Mitsotakis: Nuk ndikon në marrëdhëniet me Britaninë

Incidenti për skulpturat antike, Mitsotakis: Nuk ndikon në marrëdhëniet me Britaninë

11:58, 29/11/2023
A+ Aa A-

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis tha të mërkurën se anulimi i takimit të tij me kryeministrin britanik Rishi Sunak ishte thjesht një incident, dhe nuk do të ketë një ndikim në marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar.

“Ky incident fatkeq … nuk do të ndikojë në marrëdhëniet greko-britanike. Kishte një aspekt pozitiv, pasi kërkesa jonë e drejtë për rikthimin e skulpturave mori një publicitet edhe më të madh”, tha ai gjatë një takimi me Presidenten, Katerina Sakellaropoulou .

“Mendoj se kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet greko-britanike në terma afatgjatë. Është një marrëdhënie me thellësinë historike”, shtoi Mitsotakis.

Në përgjigjen e saj, Presidentja Sakellaropoulou shprehu besimin në kauzën e Greqisë, duke deklaruar, “Ribashkimi i skulpturave, një kërkesë e bërë që nga krijimi i shtetit modern grek, ka fituar mirëkuptim nga komuniteti ndërkombëtar dhe publiku britanik, duke shënuar një fitore të rëndësishme. Kërkesa e drejtë e vendit tonë do të gjejë përgjigje”.

Kërkesa për ribashkimin e skulpturave të Partenonit është një kërkesë që lind nga ligji, nga historia dhe nga vlerat kulturore universale, tha ministri i Jashtëm George Gerapetritis i pyetur për takimin e tij me homologun e tij britanik, David Cameron, pas mbërritjes së tij për ditën e dytë të takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.

“Pavarësisht nga kjo, ne besojmë se marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar duhet të jenë në një nivel të mirë dhe ne do të punojmë me homologun tim në këtë drejtim”, nënvizoi ai.

Downing Street këmbënguli se në bisedimet midis Sunak dhe Mitsotakis ishte rënë dakord vetëm për kërkesën që grekët nuk do ta përdornin takimin në Londër si një “platformë publike” për të lobuar për kthimin e artefakteve antike, të cilat janë të ekspozuara në Muzeun Britanik.

Pala greke ka mohuar të ketë dhënë ndonjë garanci të tillë.

Anulimi i takimit Mitsotakis-Sunak, erdhi nga pala britanike një ditë pasi kryeministrit  grek tha për BBC se skulpturat e lashta greke prej mermeri duhet t’i rikthehen Greqisë. Ai u shpreh se, mbajtja e një pjese të tyre në Londër dhe pjesës tjetër në Athinë ishte njësoj me ndarjen në dysh të Mona Lizës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco