Mijëra sllovenëve do t’u rimbursohen gjobat e marra gjatë pandemisë

Mijëra sllovenëve do t’u rimbursohen gjobat e marra gjatë pandemisë

08:47, 28/11/2023
A+ Aa A-

Ishte ndoshta një prej ushqimeve më të shtrenjta të konsumuara ndonjëherë në Lubjanë. Byreku me mish, i kushtoi një shpërndarësi ushqimesh, 400 euro. E gjitha kjo pasi ishte ulur në shkallët e një kishe për të ngrënë pak nga byreku, në ditën e parë të mbylljes së kryeqendrës së Sllovenisë për shkak të COVID-19, shkruan “BBC”.

Skena ishte kapur nga kamerat. Dhe fotot e policisë duke e rrethuar punonjësin që po hante ushqim, u bënë virale. Ishte parë si simbol për mënyrën e ashpër që po aplikonte Sllovenia në kufizime për COVID-19. Tash atij shpërndarësi të ushqimeve do t’i kthehen paratë, dhe policia do t’ia pastrojë dosjen. E njëjta vlen edhe për më tepër se 60 mijë sllovenë që ishin gjobitur për shkelje të masave anti-COVID.

Policia në Slloveni kishte dhënë më tepër se 6 milionë euro gjoba për shkelje të masave anti-COVID për më tepër se dy vjet. Por, këtë javë do të hyjë në fuqi legjislacioni për të rimbursuar ata që u gjobitën. Kjo plotëson një premtim që kishte bërë kryeministri slloven Robert Golob, para se partia e tij “Liria e Lëvizjes” t’i fitonte zgjedhjet vitin e kaluar.

Në disa faza gjatë pandemisë, sllovenëve nuk u ishte lejuar fare të lëviznin përtej zonës ku jetonin dhe natën ishte ora policore në fuqi. Shpërndarësi i ushqimeve i uritur ishte njëri prej shumë personave që kishin thyer rregullin e heqjes së maskës, që ishte në fuqi si për ambient të jashtëm ashtu edhe të brendshëm. Dhe duke bërë ndonjë gjë natën pa certifikatë COVID ishte e pamundur.

Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë i rrëzoi të gjitha ato masa. Por, deri më tash autoritetet nuk kthyen prapa gjobat që dhanë. Ambientalisti Rok Rozman, që kishte marrë disa gjoba për pjesëmarrje në protesta të ndryshme, ndihet i çliruar.

“Dekreti që përdorën për të vendosur masa nuk ishte i bazuar në ligj. Qeveria e dinte këtë, dhe nëse ky vendim tash nënkupton se do të na kthehen paratë, atëherë ashtu të jetë. Nëse jetoni në një shtet me sundim të ligjit, atëherë duhet të vlejë kjo për të gjithë”, ka thënë Rozman.

Kjo pikëpamje ndahet edhe nga administrata aktuale.

Ministrja e Drejtësisë e Sllovenisë, Dominika Shvarc Pipan, ka thënë se rimbursimi i qytetarëve do të ndihmojë të rindërtohet besimi i sllovenëve në sundim të ligjit. Ajo thotë se besimi ishte goditur rëndë nga “përdorimi i masave të ekzagjeruara dhe jokushtetuese gjatë pandemisë”. Por, ky legjislacion për rimbursimin e qytetarëve, nuk ka marrë një pëlqim të përgjithshëm.

Një deputet i partisë së ish-kryeministrit Janez Jansha ka thënë se rimbursimi do të ishte si “të pështysh në fytyrë gjithë punonjësit shëndetësorë që kanë luftuar pa ndalur për jetët e qytetarëve”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco