Dhjetëra mijëra qytetarë në marshin protestues drejt Qeverisë së Serbisë

Dhjetëra mijëra qytetarë në marshin protestues drejt Qeverisë së Serbisë

20:42, 09/06/2023
A+ Aa A-

Në protestën e gjashtë “Serbia kundër dhunës”, të premten, dhjetëra mijëra qytetarë në Beograd nisën një marsh drejt Qeverisë së Serbisë, rreth së cilës do të bëhet një unazë.

Në krye të kolonës janë studentët me pankartën “Studentët kundër dhunës”.

Pjesëmarrësit në protestë kanë brohoritur “Studentët nuk heshtin”, “Vuçiq largohu”, “Dorëheqje”.

Ndër mesazhet që protestuesit bartin në pankarta janë: “Jeta e fëmijëve nuk ka çmim”, “Mjaft më, a e kuptove”, “Në heshtje mbijeton dhuna”.

Organizatorët e protestës ftuan qytetarët që të përgatisin mesazhe për Ministrinë e Arsimit, por edhe për gjithë Qeverinë.

Protestat po zhvillohen me ftesë të një pjese të opozitës, për shkak të pakënaqësisë ndaj reagimit të Qeverisë së Serbisë ndaj krimeve nga të shtënat masive, në fillim të majit, ku humbën jetën 18 persona.

Nga protesta u bë e ditur se do të nisin aksione të reja nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen deri në fund të javës së ardhshme.

Kërkesa kryesore e protestës është ndalimi i nxitjes së dhunës në hapësirat publike.

Kërkesat tjera nga protestat janë edhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiq dhe drejtorit të Agjencisë për Informim të Sigurisë, Aleksandar Vulin, raporton REL.

Protestuesit kërkojnë gjithashtu shkarkimin e Organit rregullator të mediave elektronike, mbylljen e tabloideve që propagandojnë dhunën dhe shkelin kodin, si dhe konfiskimin e frekuencave kombëtare nga televizionet Pink dhe Happy.

Ministri i Arsimit, Branko Ruzhiq ka dhënë dorëheqje pas tragjedisë në shkollën fillore të Beogradit “Vladislav Ribnikar”.

Në këtë shkollë, më 3 maj, një nxënës 13-vjeçar ka vrarë me armë zjarri tetë nxënës dhe një roje sigurie. Një vajzë e plagosur vdiq më vonë dhe ajo është viktima e dhjetë.

Një ditë më vonë, më 4 maj, në fshatrat Malo Orashje dhe Dubona afër Beogradit, një sulmues 21-vjeçar vrau tetë dhe plagosi 14 persona.

Pas kësaj, autoritetet shtuan praninë e policisë nëpër shkolla dhe u bënë thirrje qytetarëve që të dorëzojnë armët në polici.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, më 7 qershor, deklaroi se kërkesat e protestës ishin politike.

Më pas ajo ka ofruar dorëheqjen, duke vlerësuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë zgjidhje për krizën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ftoi edhe një herë opozitën të bisedojë, duke thënë se nëse nuk i përgjigjet thirrjes, do të pasojnë zgjedhjet.

Më 7 qershor, gjatë një adresimi para publikut me kryeministren, Vuçiq tha se është fare e qartë se do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe se është vetëm çështje e muajit se kur do të mbahen ato.

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë në listën e kërkesave të protestuesve.

Përfaqësuesit e opozitës deklaruan se nuk duan zgjedhje në kushtet e vjetra zgjedhore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco