Vuçiç i hapet oreksi, kërkon autonomi më të madhe për serbët në veri

Vuçiç i hapet oreksi, kërkon autonomi më të madhe për serbët në veri

19:02, 09/06/2023
A+ Aa A-

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar nga Kosova që të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarët e komunave në veri të vendit derisa të arrihet një autonomi më e madhe për serbët etnikë, të cilët përbëjnë shumicën vendore dhe që kishin bojkotuar votimet paraprake.

Në një intervistë për Reuters-in më 9 qershor, Vuçiç deklaroi: ‘Të gjithë serbët në veri e perceptojnë Serbinë si vendin e tyre, jo Kosovën. Ky është realiteti’. Ai gjithashtu theksoi se ‘duhet të jetë dikush që të marrë situatën nën kontroll dhe të organizojë zgjedhjet (e reja) atje’.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje që Kosova të organizojë zgjedhje të reja në komunat veriore me shumicë serbe, me qëllim që të zbuten tensionet, ndërsa Serbisë i është bërë thirrje të ulë gatishmërinë luftarake dhe të tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.

Megjithatë, Vuçiç, siç shkruan Reuters, theksoi se autoritetet në Kosovë duhet të bëjnë disa lëshime për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja. ‘Ne ende nuk kemi një asociacion të komunave serbe, ende nuk ka tërheqje të forcave speciale të policisë (shqiptare të Kosovës) dhe të kryetarëve të komunave’, - ka thënë Vuçiç.

Reuters kujtoi Marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e cila ka një histori prej 10 vitesh, parashikonte që serbët në veri të themelonin Asociacionin e komunave vetëqeverisëse në këmbim të njohjes, e cila nuk zbatua kurrë.

Në artikull kujtohen edhe deklarimet e Kurtit i cili kishe thënë se nëse i jepet autonomi më e madhe nën asociacionin e komunave, mund të organizohet një referendum për t'iu bashkuar Serbisë.

Vuçiç ka thënë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve se ‘Serbët (në veri) janë gjithmonë të gatshëm të bisedojnë, por ju duhet t'u ofroni atyre diçka.’

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i kishe thënë mediumit se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja në komunat në fjalë nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion duke i kërkuar ato. Ajo akuzoi gjithashtu Serbinë për ndërhyrje.

Në përgjigje ndaj kësaj, shkruan artikulli i Reuters, Vuçiç tha se ‘është e tmerrshme ajo për të cilën ata njerëz po flasin’ dhe ai akuzoi Kurtin se nuk ishte i gatshëm për kompromis. ‘Jam i sigurt që (Kurti) nuk do të investojë asnjë minutë nga koha e tij dhe as një pikë djerse për të gjetur një zgjidhje kompromisi’.

Ai tha se Serbia po shqyrtonte nëse do të ulte gatishmërinë e saj luftarake. ‘Ne do t'i mbajmë trupat tona në gatishmëri të lartë, jo në gatishmërinë më të lartë luftarake, sepse kjo kushton shumë.’

Vuçiç i tha gjithashtu Reuters në intervistë se Beogradi ishte në bisedime për të blerë avionë luftarakë Rafale nga Franca dhe për të forcuar më tej ushtrinë e tij me armë perëndimore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco