Dhjetëra mijëra serbë ngrihen në këmbë: Vuçiç ik!

Dhjetëra mijëra serbë ngrihen në këmbë: Vuçiç ik!

19:47, 03/06/2023
A+ Aa A-

Dhjetëra mijëra serbë protestojnë kundër qeverisë në Beograd me thirrjet "Vuçiç, largohu!" dhe "Arrestoni Vuçiqin!" .

Dhjetëra mijëra qytetarë serbë u mblodhën të shtunën për protestën e pestë antiqeveritare brenda një muaji në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, pas dy masakrave radhazi ku u vranë 18 persona, gjysma e tyre fëmijë.

Protestat "Serbia kundër dhunës" kanë evoluar në disa prej mitingjeve më të mëdha që kur demonstratat e përhapura shkaktuan rënien e të fortit Slobodan Millosheviç mbi dy dekada më parë.

Protestat erdhën pas masakrave në fillim të majit që lanë 18 të vdekur dhe plagosur disa të tjerë. Nëntë nga të vdekurit ishin nxënës në një shkollë fillore në Beograd, të cilët u qëlluan me armë nga një nxënës 13-vjeçar.

Demonstratat janë shprehje zemërimi të fortë ndaj partisë në pushtet mbi atë që protestuesit thonë se është një kulturë dhune, e nxitur nga qeveria dhe mediat që ajo kontrollojn.

"Unë jam këtu për të gjithë ne, veçanërisht për fëmijët e mi. Kështu që ata nuk kanë nevojë të protestojnë, por të punojnë dhe të jetojnë në vendin e tyre ashtu siç duhet," tha matematikanja 33-vjeçare Bojana Popovic për AFP gjatë mitingut.

Protesta e kësaj jave, e organizuar nga disa parti opozitare pro-evropiane, fillimisht ishte planifikuar për të premten, por u zhvendos si një masë paraprake pasi grupet e ekstremit të djathtë njoftuan edhe ato pjesëmarrjen.

Demonstruesit duan gjithashtu që qeveria të revokojë licencat e transmetimit të kanaleve televizive që promovojnë përmbajtje të dhunshme dhe një ndalim të gazetave pro-qeveritare që nxisin tensione duke synuar disidentët politikë.

Ata kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm dhe kreut të shërbimit inteligjent.

Protestat fillimisht ishin të qeta, por u shndërruan në një protestë të plotë antiqeveritare pasi kërkesat e tyre u pritën me kundërshtime të ashpra nga Presidenti dhe aleatët e tij, të cilët talleshin me mitingjet dhe i ofenduan pjesëmarrësit.

Kritikët kanë akuzuar për vite me radhë presidentin serb Aleksandar Vuçiç se po mbështetet gjithnjë e më shumë në masat autokratike për të mbajtur opozitën në kaos dhe nën kontrollin e tij mediat dhe institucionet shtetërore.

Vuçiç i hodhi poshtë protestat si një marifet "politik" dhe ngriti teori konspirative rreth fuqive të huaja që dyshohet se orkestrojnë tubimet.

Udhëheqësi 53-vjeçar populist rrëzoi gjithashtu një pjesë të kërkesës së opozitës për një qeveri kalimtare përpara zgjedhjeve të reja, duke thënë se kjo nuk do të ndodhte "për sa kohë që jam gjallë"./ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco