Televizioni publik gjerman: Vuçiç, i lidhur me bandën e Belivukut

Televizioni publik gjerman: Vuçiç, i lidhur me bandën e Belivukut

09:41, 30/05/2023
A+ Aa A-

Pas një shkrimi të gjatë investigues të “New York Times Magazine” mbi lidhjet e presidentit serb Aleksandër Vuçiç me një grup të krimit të organizuar në Beograd, mbi këtë skandal të madh në Serbi ka raportuar tani edhe televizioni publik gjerman, ARD.

Sipas këtij televizioni, një proces gjyqësor po mban pa frymë opinionin në Serbi. Bëhet fjalë për huliganë, të cilët punonin për një klan të fuqishëm të drogës dhe akuzohen se kanë kryer vrasje brutale. Lidhjet e këtij grupi arrijnë me gjasë deri në krye të shtetit.

Në Beograd është duke u zhvilluar një proces gjyqësor kundër 31 personave, të cilët akuzohen për vrasje, posedim droge, rrëmbime dhe tregti me armë. Kreu i bandës quhet Velko Belivuk, prijës i huliganëve të ekipit të futbollit “Partizani” të Beogradit. Përkrahësit e këtij ekipi njihen si tejet agresivë dhe mbajnë lidhje me struktura të krimit të organizuar.

Krimet për të cilat akuzohen anëtarët e bandës së Belivukut dyshohet se i kanë kryer për një klan droge nga Mali i Zi. Ky klan prej vitesh zhvillon një përplasje të përgjakshme me një bandë tjetër. Vrasjet janë kryer jo vetëm në Serbi, por edhe në disa vende evropiane, thekson ARD.

Huliganët e Partizanit, sipas ARD, njihen si më brutalët në Evropë. Stadiumi konsiderohet si qendër për shitjen e drogës dhe për rekrutimin e anëtarëve të rinj të bandave.

Tani anëtarët e bandës së Belivukut akuzohen për vrasje kafshërore. Në fillim të vitit 2021, hetuesit ndërkombëtarë dekoduan aplikacionin Sky EÇ dhe gjetën aty fotografi të tmerrshme të kufomave të dëmtuara rëndë. Gjurmët çuan te një shtëpi në një fshat afër Beogradit me një hapësirë sekrete, në të cilët anëtarët e bandës kishin qasje përmes një vrime. Aty gjendej edhe një makinë për grirjen e mishit. Kriminelët i fusnin kufomat në këtë makinë dhe i bënin copa-copa për t’i fshehur më lehtë.

Procesi në Beograd ka nxjerrë në pah lidhjet e grupit me politikanët e vendit. Sipas gazetarit investigativ Stevan Dojçinoviç, mafiozi Belivuk ka deklaruar gjatë procesit se roli i tij ka qenë të përkrahë demonstratat për presidentin Vuçiç dhe të pengojë protestat e opozitës. Belivuk, sipas Dojçinoviç, ka listuar favoret politike që ka kryer për Vuçiçin.

Rol kyç në lidhjet e Belivikut me strukturat shtetërore duket se ka luajtur polici Nenad Vuçkoviç, i cili njihet si figurë prijëse e huliganëve. Në një fotografi Vuçkoviç shihet bashkë me Belivukun. Grupi nuk kontrollohej vetëm nga Vuçkoviç, por edhe nga nivelet më të larta, thekson Dojçinoviç.

Në një komunikim mes Belivukut dhe policit, Belivuk shkruan se ai nuk i frikësohet askujt dhe ‘është gati’. Pas kësaj polici Vuçkoviç përgjigjet se e dinte këtë, por në dijeni është edhe ‘shefi’ po aq sa edhe ‘shefi i madh’. Për gazetarin Dojçinoviç është e qartë se shefi ishte ish-ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviç, ndërsa shefi i madh është presidenti Vuçiç. Në një fotografi tjetër të botuar nga mediat serbe shihet i biri i Vuçiçit, Danilo duke u përqafuar me një mafioz të bandës së Belivukut.

Gazetarja Brankica Stankoviç, e cila ka investiguar mbi lidhjet e huliganëve me politikanët, është kërcënuar dhe jeton nën mbrojtje të policisë. Sipas saj, huliganët serbë ‘janë të organizuar dhe të përshtatshëm për çdo keqpërdorim. Ata shndërrohen në hordhi të tërbuara, të cilat i nënshtrohen çdo apeli të strukturave të pushtetit, pa marrë parasysh çfarë përmban agjenda’.

Para gjyqit në Beograd gjenden anëtarët e bandës së Belivukut, ndërsa politikanët e lidhur me të – jo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco