SHBA dhe Ukraina dënojnë pjesëmarrjen e Vulinit në një konferencë në Moskë

SHBA dhe Ukraina dënojnë pjesëmarrjen e Vulinit në një konferencë në Moskë

14:42, 25/05/2023
A+ Aa A-

Ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara në Beograd, e kanë kritikuar, veç e veç, pjesëmarrjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.

Ambasada e Ukrainës, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se, Serbia dhe Ukraina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, dhe se, në këtë kontekst, Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Ne llogarisim në faktin se vendi kandidat për anëtarësim në BE do t’i bashkohet politikës së përbashkët evropiane ndaj shtetit agresor, Federatës Ruse”, ka thënë Ambasada e Ukrainës.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se, “askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”.

“Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill.

Media shtetërore ruse ka raportuar më 24 maj se drejtori i BIA-s, Vulin, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.

Informacioni zyrtar për pjesëmarrjen e tij në Konferencën në Moskë, nuk është publikuar në faqet e internetit të institucioneve zyrtare në Serbi.

As Qeveria e Serbisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me këtë çështje.

Në fotot e publikuara nga Russia Today Balkan, në gjuhën serbe, si pjesë e lajmeve të 24 majit, Vulin shihet me pjesëmarrësit e tjerë të Konferencës, përfshirë Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska – njërën prej entiteteve të Bosnje-Hercegovinës.

Pyetjes së REL-it, lidhur me këtë çështje, nuk i janë përgjigjur as BIA dhe as Lëvizja Socialiste, në krye të së cilës është Vulin, e cila është edhe pjesë e koalicionit qeverisës me Partinë Progresive Serbe (SNS).

Vulin është një nga zyrtarët e paktë evropianë që ka vazhduar vizitat te zyrtarët rusë në Kremlin, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Më 24 maj, disa media në Serbi publikuan lajmin se në Konferencën në Moskë po merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Daçiq e ka mohuar më pas këtë informacion.

Ai ka thënë se nuk ka marrë ftesë për të marrë pjesë në atë konferencë, dhe për këtë arsye as që ka planifikuar udhëtim në Rusi.

“Nuk kam marrë as ftesë për ndonjë konferencë, kështu që as që ishte planifikuar të merrja pjesë në të”, ka thënë Daçiq, më 25 maj.

Në hapjen e Konferencës, e cila zyrtarisht quhet Takimi i 11-të Ndërkombëtar i Përfaqësuesve të Lartë për Çështjet e Sigurisë, ka folur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Siç kanë raportuar mediat shtetërore ruse, Putin ka paralajmëruar forcimin e lidhjeve me vendet mike.

Serbia, me gjithë përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, refuzon të harmonizojë politikën e saj të jashtme me bllokun evropian, dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco