Presidenti i ri i Malit të Zi: Millo Gjukanoviç në balotazh me Jakov Millatoviç Majtas Jakov Millatoviç - djathtas, Millo Gjukanoviç

Presidenti i ri i Malit të Zi: Millo Gjukanoviç në balotazh me Jakov Millatoviç

07:20, 20/03/2023
A+ Aa A-

Presidenti veteran i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, do të përballet në balotazh me ish-ministrin e Ekonomisë, Jakov Millatoviç, më 2 prill, pasi asnjëri prej shtatë kandidatëve në garën për president nuk kanë arritur të fitojnë 50 për qind të votave.

Qytetarët e Malit të Zi kanë votuar të dielën për të zgjedhur presidentin e vendit.

Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ka shkuar në 63.6 për qind, njofton REL. Gjukanoviç ka thënë se është i kënaqur me rezultatin.

“Kam fituar më shumë se 120.000 vota, ky është rezultat i vlefshëm. Kjo është përparësi serioze ndaj kandidatit tjetër. Ne jemi të gëzuar për një nivel të tillë të mbështetjes, dhe kjo është bazë e mirë që do të na çojë drejt fitores”.

Ish-ministri Millatoviç, ekonomist pro-evropian nga lëvizja Evropa Tani, ka thënë se rezultati i tij përbën fitore në këto zgjedhje.

“Kam premtuar se do të fitojmë, dhe fituam. Kjo është fitore për të gjithë ata që janë diskriminuar në 30 vjetët e fundit, fëmijët e të cilëve janë larguar nga Mali i Zi, për ata që nuk ka pasur drejtësi. Ne do ta dërgojmë Gjukanoviqin në pension politik, më 2 prill”.

Rezultati zyrtar nuk pritet të publikohet disa ditë, për shkak të shqyrtimit të ankesave.

Gjukanoviç ka shërbyer si president, ose kryeministër, i Malit të Zi, për 33 vjet.

Presidencialet në Mal të Zi: Gjukanoviç shpreson edhe në një mandat

Përveç Gjukanoviçit dhe Millatoviçit, në garë kanë qenë edhe: Andrija Mandiç, politikan pro-rus dhe pro-serb, Alleksa Beçiç, ish-kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve; Goran Danilloviç, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar; Draginja Vuksanoviç Stankoviq nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Radulloviç, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në mediat sociale.

Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, ka rreth 625.000 banorë. Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 542.154 qytetarë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco