Do të jepet në Gjykatën Speciale vendimi i parë kundër ish-luftëtarit të UÇK-së

Do të jepet në Gjykatën Speciale vendimi i parë kundër ish-luftëtarit të UÇK-së

12:29, 15/12/2022
A+ Aa A-

Gjyqi për krime lufte i ish-oficerit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, dha një pamje të parë të punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës me bazë në Hagë – edhe pse shumica e procedurave mbetën të fshehura për opinionin publik.

Nga Xhorxhina Bami, BIRN

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë japin vendimin e parë për krime lufte të premten, shtatë vjet pasi u krijuan për të gjykuar ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000.

I pandehuri është ish-oficeri i UÇK-së, Salih Mustafa, i cili ishte i dyshuari i parë për krime lufte që u arrestua dhe u transferua në të ashtuquajturën “Gjykatë Speciale”.

Mustafa ishte komandant në Zonën Operative të Llapit të UÇK-së gjatë kohës së luftës në Kosovën verilindore, i njohur me pseudonimin “Komandant Cali”, dhe është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të civilëve në një qendër paraburgimi të UÇK-së në fshati Zllash. Ai u vetëdeklarua i pafajshëm.

Rasti i Mustafës tregoi se si mund të vazhdonin gjykimet e tjera të ish-anëtarëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte. Gjyqi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre të bashkëpandehurve të tjerë, të gjithë ish-pjesëtarë të lartë të UÇK-së të kthyer në politikanë, pritet të fillojë në vitin 2023.

Gjatë gjykimit të Mustafës, janë ngritur shqetësime nga kritikët e gjykatës për varësinë e prokurorisë nga dëshmitarët anonimë të mbrojtur, për kohëzgjatjen e procedurave dhe për çështje të tjera të ndryshme, duke përfshirë ankesën e gjatë të shqiptarëve të Kosovës se gjykata është e njëanshme.

Në Kosovë, shumë e shohin Gjykatën Speciale si një përpjekje për të denigruar luftën e UÇK-së për çlirim nga sundimi represiv serb, dhe ndjekja penale e Mustafës ka shkaktuar më shumë “mosbesim në gjykatë nga shqiptarët”, sipas Abit Hoxhës, një studiues me origjinë nga Kosova, në Universitetin e Agder në Norvegji.

Dëshmitarë të mbrojtur, dëshmi të redaktuara

Në gjykimin e Mustafës dëshmuan gjithsej 29 dëshmitarë, 14 për prokurorinë dhe 15 për mbrojtjen.

Mbrojtja e dëshmitarëve ka qenë një çështje kyçe për Dhomat e Specializuara të Kosovës pas kanosjes së dëshmitarëve në gjyqet e mëparshme të luftëtarëve të UÇK-së në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ-në.

Si rezultat, shumica e dëshmive në gjyqin e Mustafës u redaktuan dhe shumica e dëshmitarëve dëshmuan në mënyrë anonime nën masa mbrojtëse, të cilat i lanë në errësirë monitoruesit ligjorë, gazetarët dhe publikun.

“Dëshmitarët kryesorë, disa prej të cilëve janë mbajtur në qendrën e paraburgimit në Zllash, janë mbrojtur dhe kanë dhënë dëshmi në mënyrë anonime, ndërsa shumica e dëshmive janë redaktuar për publikun”, tha për BIRN Amer Alija, koordinator dhe analist ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

“Një vëzhgues objektiv do ta ketë të vështirë të krijojë një bindje apo qëndrim të tijin, nëse ka prova të mjaftueshme kundër të pandehurit për një vendim meritor, qoftë dënim apo pafajësi,” shtoi Alija.

Mustafa u arrestua në shtator 2020 dhe deklaratat hyrëse në gjyqin e tij u dëgjuan në shtator 2021.

“Nëse e krahasojmë me procedurat e gjykatës së Kosovës, kohëzgjatja e procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara në Hagë është dukshëm e gjatë dhe të pandehurit kryesisht qëndrojnë në paraburgim me vite në pritje të fillimit të gjykimit”, tha Alija.

Hoxha tha gjithashtu se beson se procesi ka qenë shumë i gjatë dhe akuzoi prokurorinë për përdorimin e vonesave si pjesë e strategjisë së saj kundër të pandehurit, krahas “deklarimeve voluminoze dhe fshehjes së argumenteve në favor të mbrojtjes”.

“Mendoj se ajo që mësuam në rastin e parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është se prokuroria është më e interesuar të zgjasë procesin sesa të sjellë drejtësi”, pohoi ai.

Kërkesat e mbrojtjes për lirimin e Mustafës nga paraburgimi janë refuzuar vazhdimisht me arsyetimin se ai mund të arratiset dhe potencialisht të kërkojë të ndërhyjë te dëshmitarët. Gjykatësi Nicolas Guillou citoi “lidhjet e tij me aparatin e inteligjencës së Kosovës me qasje rezultante në informacion dhe burime”.

Por Hoxha argumentoi se kishte një shembull tjetër të njëanshmërisë ndaj të pandehurve të gjykatës: “Nuk ka pasur kurrë një përpjekje nga ndonjë prej të akuzuarve në Dhomat e Specializuara për t’u fshehur”, tha ai.

Dëshmitarët akuzohen për mospërputhje

Aktakuza në rastin Mustafa pretendon se të burgosurit u mbajtën në një kompleks të UÇK-së në Zllash në prill të vitit 1999 dhe u privuan nga ushqimi, uji, higjiena, shtrati dhe kujdesi mjekësor, dhe iu nënshtruan “rrahjeve me instrumente të ndryshme, djegieve dhe administrimit me goditjeve elektrike”.

Ata gjithashtu u torturuan psikologjikisht, “përfshirë përmes kërcënimit me vdekje dhe lëndimeve të rënda trupore, frikës, poshtërimit, diskriminimit në baza politike, kanosjes, ngacmimit, marrjes në pyetje, dhe deklaratave dhe rrëfimeve të detyruara”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza më tej pretendon se Mustafa shpesh urdhëronte anëtarë të tjerë të njësisë së tij që t’i torturonin të arrestuarit ose e bënte këtë vetë.

Në deklaratën e saj përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatja e viktimave në këtë rast, Annie Puess, i tha gjykatës se “dëshmitë e dëshmitarëve thonë se Komandanti Cali… mori pjesë drejtpërdrejt në këto tortura… Ai e filloi keqtrajtimin.”

Përfshirja e avokates së viktimave, e cila paguhet nga Dhomat e Specializuara për të përfaqësuar interesat e viktimave, është një risi në gjyqet jugosllave të krimeve të luftës.

Puess i tha gjykatës se një viktimë, i cili u torturua dhe më pas vdiq, ose ishte vrarë nga njësia BIA-s e UÇK-së, e cila drejtohej nga Mustafa, përpara se njësia të largohej nga kompleksi i Zllashit, ose ishte lënë pas ndërsa ishte plagosur, por gjallë dhe më pas vdiq nga plagët që mori.

Por avokati mbrojtës i Mustafës, Julius von Bone, akuzoi prokurorinë për ndryshimin e dëshmive të dëshmitarëve në përputhje me argumentet e veta.

Sipas von Bone, aktakuza përmend vetëm një ndërtesë në kompleksin e Zllashit, ndërsa ish të arrestuarit që u paraqitën si dëshmitarë të prokurorisë përmendën disa ndërtesa, duke e bërë të paqartë se ku mbaheshin.

Von Bone pohoi gjithashtu se disa dëshmitarë nuk thanë të vërtetën sepse dëshmitë e tyre në gjykatë nuk përputheshin me ato që thanë gjatë hetimit.

Ai përmendi një dëshmitar i cili dyshohet se ishte mbajtur në të njëjtin vend me viktimën e vrasjes, por gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari pohoi se ai ishte mbajtur në një ndërtesë tjetër. “Të gjitha këto dëshmi nuk mund të jenë të vërteta në të gjitha pikat”, tha von Bone.

Autor i drejtpërdrejtë apo plotësisht i pafajshëm?

Avokatët mbrojtës janë ankuar vazhdimisht në gjykatë se prokuroria nuk ka arritur të sigurojë dokumente të rëndësishme në gjuhën amtare të të pandehurit, shqip.

Alija pranoi se “krijimi i një gjykate të re dhe fillimi i procedurave të para gjyqësore është sfiduese”, veçanërisht duke pasur parasysh se gjykata filloi të funksionojë gjatë pandemisë së COVID-19.

Ai tha se gjykata e ka transmetuar me sukses të gjithë seancën online në shqip, serbisht dhe anglisht”. Por ai shtoi se dokumentacionit të publikuar në faqen e internetit të gjykatës “i mungon përkthimi i plotë në gjuhën shqipe dhe serbe”.

Gjuhët zyrtare të Kosovës janë shqipja dhe serbishtja dhe të gjithë të pandehurit në Dhomat e Specializuara janë shqiptarë etnikë. Dëshmitarët dhe viktimat në gjyqin e Mustafës janë gjithashtu shqiptarë etnikë.

Hoxha tha se beson se çështje si ankesat për përkthime e kanë thelluar përshtypjen se Mustafa dhe të paditurit e tjerë “janë fajtorë, pavarësisht parimit gjyqësor të supozimit se nuk janë fajtorë derisa të provohet e kundërta”.

Hoxha tha gjithashtu se rrjedhja e dokumenteve gjyqësore, për të cilat dy ish-udhëheqës të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së u dënuan së fundmi, është shembull i problemeve organizative brenda gjykatës.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe me personel ndërkombëtar.

Ato u krijuan në gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës, nën presionin e aleatëve perëndimorë të vendit, të cilët besojnë se vetë sistemi i drejtësisë së Kosovës nuk është mjaftueshëm i fuqishëm për të gjykuar rastet e UÇK-së dhe për të mbrojtur dëshmitarët nga kanosja, pasi rastet e mëparshme në GJPNJ u shoqëruan me ndërhyrje te dëshmitarët.

Por shumë shqiptarë të Kosovës besojnë se gjykata është e njëanshme etnike sepse ajo nuk trajton krimet e kryera nga serbët, por vetëm nga luftëtarët e UÇK-së. “Ne e dimë se gjykata nuk është e interesuar të gjykojë krimet e luftës nga ata kundër të cilëve Mustafa dhe të akuzuarit e tjerë luftuan”, tha Hoxha.

Në fjalën përfundimtare, avokati mbrojtës von Bone argumentoi se Mustafa nuk ka kryer asnjë krim, por përmes rolit të tij në UÇK po “i shërbente objektivit të përgjithshëm të popullit të Kosovës, që ishte fitimi i pavarësisë”.

Prokurori Jack Smith këmbënguli megjithatë se Mustafa ishte një “autor i drejtpërdrejtë” në veprat penale dhe se ai “siguroi që ata që ishin nën komandën e tij t’i trajtonin viktimat me brutalitet dhe ashpërsi të veçantë”.

Prokuroria ka kërkuar dënimin me 35 vite burg, ndërsa mbrojtja i ka kërkuar gjykatës ta shpallë atë të pafajshëm.


 
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco