Serbia emëron një politikan pro-rus si shefin e ri të spiunazhit: Vulin

Serbia emëron një politikan pro-rus si shefin e ri të spiunazhit: Vulin

10:36, 02/12/2022
A+ Aa A-

Qeveria e Serbisë emëroi të enjten një politikan pro-rus,si shefin e ri të spiunazhit të vendit.

Aleksandar Vulin, i cili më parë ka shërbyer si Ministër i Brendshëm i këtij shteti të Ballkanit dhe ka mbajtur portofolin e Ministrisë së Mbrojtjes para kësaj, do të bëhet drejtori i ri i BIA, agjencia e shërbimit sekret së Serbisë, tha qeveria serbe në një deklaratë, sipas Euronews.

Vulin konsiderohet si "njeriu i Moskës" brenda udhëheqjes serbe. Si Ministër i Brendshëm, ai vizitoi Moskën në gusht, një vizitë e rrallë kjo nga një zyrtar shtetëror evropian që thekson vendimin e Beogradit për t'u distancuar nga veprimet e Perëndimit kundër Rusisë për pushtimin që i bëri Ukrainës.

Ai më pas i tha Ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov se "Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione dhe nuk ka qenë pjesë e histerisë anti-ruse".

Serbia, e cila po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka vite që po largohet nga trajektorja e saj e linjës me BE-në dhe është anuar drejt aleatit tradicional sllav Rusisë, si dhe Kinës.

Vetë Vulin tha se Serbia duhet të heqë dorë nga synimi i anëtarësimit në BE dhe në vend të kësaj t'i drejtohet Moskës.

 Ai mbron krijimin e një "bote serbe" -  një pasqyrim i "botës ruse",  duke i bashkuar serbët nën një flamur të udhëhequr nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Ai gjithashtu ka sulmuar shpesh shtetet fqinje të Serbisë dhe udhëheqësit e tyre dhe i është ndaluar hyrja në Kroaci, një vend anëtar i BE-së.

Emërimi i Vulin në një post kaq të ndjeshëm të shërbimit sekret e ka zemëruar më pas opozitën pro-perëndimore të vendit dhe është parë si një tjetër mospërfillje ndaj Perëndimit.

Partia opozitare PSG lëshoi një deklaratë duke thënë se "emërimi i tij do të ndalojë plotësisht" bashkëpunimin e BIA-s me agjencitë perëndimore të sigurisë dhe do të kontribuojë në "izolimin shtesë ndërkombëtar të Serbisë".

Ajo theksoi më tej se Vulin "mbron hapur pozicionet pro-(Vladimir) Putin" dhe argumentoi se emërimi e bën Serbinë "aleatin e vetëm të Rusisë në Evropë".

Marinika Tepic nga partia opozitare SSP e cilësoi emërimin si një shenjë se "se Serbia po shkon drejt diktaturës" në të cilën "do të lejohen të gjitha mjetet në luftën kundër kundërshtarëve politikë".

Vitin e kaluar, Vulin thuhet se ka krijuar një "grup pune" me Nikolai Patrushev, sekretarin e fuqishëm të Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, për të luftuar "revolucionet me ngjyra" -- një seri protestash masive që kanë çuar herë pas here në përmbysjen e regjimeve autokratike kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Azi.

Mediat e pavarura serbe kishin raportuar se në takimin e tyre në Moskë në fund të vitit të kaluar, Vulin i dha Patrushevit përgjime nga një takim në Beograd i mbajtur nga anëtarë të opozitës ruse.

Disa nga të pranishmit u arrestuan menjëherë pas në Rusi. Vulin, megjithatë, nuk ka pranuar se ka   dorëzuar të tilla kaseta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco