Dodik i prerë: Do të bashkëpunojmë me Rusinë dhe perëndimi duhet të na respektojë

Dodik i prerë: Do të bashkëpunojmë me Rusinë dhe perëndimi duhet të na respektojë

16:43, 07/10/2022
A+ Aa A-

Anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, tha se Republika Srpska do të bashkëpunojë me Rusinë, duke theksuar se Perëndimi duhet ta respektojë këtë.

“Prioriteti kryesor i politikës sonë të jashtme është bashkëpunimi i suksesshëm me Serbinë, Rusinë, Hungarinë, Kinën dhe të tjerët që e dëshirojnë këtë”, tha Dodik për agjencinë ruse TASS.

Ai shtoi se do të përpiqet të bisedojë me Perëndimin, por se ata duhet të mësojnë se një komunikim i tillë nuk është më i mundur nëse kërkohet vetëm nënshtrim nga pala e tyre.

Dodik vuri në dukje se nëse Perëndimi dëshiron të flasë, duhet të respektojë përparësitë e politikës së jashtme të Republikës Srpska, dhe ato janë të lidhura me miqësinë e provuar historikisht midis Rusisë dhe popullit serb.

Ai shtoi se fitoi garën për presidencën e Republikës Serpska më 2 tetor, pavarësisht ndërhyrjet nga perëndimi.

“Përparësia ime totale, sipas rezultateve të zgjedhjeve, arrin në 30 mijë vota, ose rreth pesë apo gjashtë për qind. Në rrethanat aktuale, ky është një rezultat shumë domethënës, i cili nuk mund të vihet në dyshim nga asnjë veprim që do të inicohej këtu nga partitë opozitare, të cilat ambasadat perëndimore i inkurajuan të shkaktojnë destabilitet”, tha Dodik.

Duke komentuar rezultatet e votimit, Dodik shtoi se situata është paqësore dhe stabël dhe se është në shqyrtim formimi i qeverisë së re. Ai shpjegoi se mbledhjet e para për këtë do të zhvillohen sot.

Partitë opozitare kanë paralajmëruar protestë për nesër, duke thënë se në zgjedhjet e 2 tetorit ka ndodhur një vjedhje e madhe elektorale dhe se në zgjedhjet për president të RS-së janë “vjedhur” deri në 100 mijë vota.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco