BE e shqetësuar për forcimin e bashkëpunimit Serbi-Rus

BE e shqetësuar për forcimin e bashkëpunimit Serbi-Rus

14:20, 26/09/2022
A+ Aa A-

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për forcimin e raporteve midis Serbisë dhe Rusisë, pasi këto dy shtete nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në sferën e politikës së jashtme.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara [të Ukrainës] po organizon referendume ilegale”.

“Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, me të cilën pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, atëherë kjo është shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë nuk mund të jenë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht”, tha Stano.

Sipas tij, Serbia ka deklaruar se qëllim strategjik ka integrimin në bllokun evropian. Andaj, sipas Stanos, edhe “ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përafrimin me BE-në në çështje të politikës së jashtme”.

“BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me të gjitha vendet anëtare dhe partnerët, përfshirë edhe vendin kandidat, Serbinë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm në Ukrainë”, tha Stano.

Stano ftoi udhëheqjen në Serbi që të sigurojë, si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, "një koherencë më të fuqishme mes nismave të saj në politikën e jashtme dhe mbështetjen për vlerat ndërkombëtare dhe pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Serbia është kritikuar për afrimin e saj me Federatën Ruse edhe nga deputetët e tjerë të Parlamentit Evropian.

Në mesin e tyre edhe Vladimir Bilçik, raportues për Serbinë në PE dhe Viola von Cramon, raportuese për Kosovën. Kjo e fundit madje ka përmendur edhe mundësinë e pezullimit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Bilçik shkroi në Twitter se lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes e sheh si një goditje të madhe për procesin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, von Cramon tha se “anëtarësimi në BE nuk kalon përmes Moskës”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco