VIDEO/ Panik në Greqi, rrëzohet avioni ukrainas me armatime, u nis nga Serbia

09:05, 17/07/2022
A+ Aa A-

Një avion mallrash ukrainas u rrëzua rreth mesnatës në zonën e Kavallës në Greqi, duke iu marrë jetën 8 personave që ndodheshin në bord dhe shkaktuar panik te banorët e zonës.

Avioni i llojit Antonov dyshohet se pësoi avari në një prej motorëve dhe kërkoi leje për t’u ulur në aeroportin e Kavallës, por nuk arriti të mbërrinte deri atje, duke marrë flakë që në ajër, për t’u përplasur më pas në tokë.

Sipas autoriteteve të aviacionit, avioni ishte nisur nga Nishi dhe kishte si destinacion Jordaninë. Ai transportonte ‘materiale të rrezikshme’, që për shumë ekspertë mendohet se ishin armatime për luftën në Ukrainë.

Pas rrëzimit të avionit, në zonë janë dëgjuar shpërthime të fuqishme, gjë që ka bërë që autoritetet greke të evakuojnë dhjetëra banorë të zonës së Paleochorit.

Zjarrfikësit nuk kanë mundur të hyjnë në zonën ku ka rënë avioni nga frika e shpërthimeve dhe kanë ndaluar lëvizjet në një rreze prej 500 metrash.

Kryebashkiaku i Pangaiou, Filippos Anastasiadis deklaroi në orët e para të mëngjesit, se një dron ka fluturuar mbi vendngjarje për të vlerësuar situatën dhe ka parë që avioni është totalisht i djegur, ndërkohë që pjesët e tij janë shpërndarë në një zonë të madhe.

Zjarrfikësit ndërkohë bëjnë me dije se ende është e pamundur të futesh në vendngjarje nga frika e ndonjë rrezatimi të mundshëm, pasi nuk është e specifikuar se çfarë materialesh transportoheshin në avion.

Sipas mediave serbe, avioni Antonov është ngritur mbrëmë nga aeroporti “Konstantini i Madh” në Nish. Gazeta Politika raportoi se avioni i përkiste një kompanie private amerikane dhe ishte i regjistruar në Ukrainë.

Burime pranë Shërbimit të Aviacionit Civil raportuan se piloti informoi se avioni kishte pësuar një defekt në motor dhe kishte kërkuar leje për ulje emergjente, por nuk kishte kohë të arrinte në aeroport, pasi në njërin prej tyre shpërtheu zjarr.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco