Opozita maqedonase  në protestë prej 8 ditësh: Bashkohuni me ne pavarësisht kombësisë

Opozita maqedonase në protestë prej 8 ditësh: Bashkohuni me ne pavarësisht kombësisë

10:08, 12/07/2022
A+ Aa A-

Me një frymë të madhe mosbesimi ndaj qeverisë së Kovaçevskit, opozita maqedonase u ka bërë thirrje qytetarëve që protestojnë kundër propozimit francez pa dallim kombësie madje edhe në qytete të tjera krahas Shkupit.

Opozita maqedonase e udhëhequr nga partia opozitare më e madhe në vend, VMRO-DPMNE dhe forca politike E Majta kanë protestuar për ditën e tetë kundër qeverisë së Kovaçevskit lidhur me të ashtuquajturin propozim francez.

Protestuesit fillimisht u mblodhën përpara qeverisë maqedonase, më pas vazhduan drejt Ministrisë së Drejtësisë për të përfunduar përpara selisë së Parlamentit.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kabinetit qeverisës dhe ministrit të Jashtëm të vendit, Bujar Osmani.

Organizatorët e protestës në fjalimin e tyre para Parlamentit, kërkuan nga qytetarët që t’i bashkohen protestës pavarësisht kombësisë.

Kujtojmë që përpara disa ditësh në kryeqytet u regjistrua një incident mes një grupi maqedonas që protestonin dhe një grupi shqiptarësh pranë sheshit Skënderbeu.

Një i ri shqiptar u raportua se nxori armën dhe e drejtoi nga protestuesit maqedonas.

Ngjarja për pak mund të shkaktonte trazirat e hershme të përplasjeve të dhunshme mes grupeve etnike.

Të martën, partia konservatore VMRO-DPMNE ka akuzuar sërish qeverinë se po fsheh protokollin, i cili përmban të gjitha kërkesat e Bullgarisë që çon në asimilimin e maqedonasve.

"Qeveria anti-maqedonase e LDSM-së e ka fshehur protokollin për propozimin francez nga sytë e publikut. Ata pa turp thonë se fillimisht do të nënshkruhet ky protokoll, e më pas do të publikohet, me të cilin duan ta sjellin opinionin në Maqedoni në një fakt të kryer. Dhe protokolli është dokumenti kryesor i Propozimit," deklaroi ajo.

Megjithatë qeveria këmbëngul se propozimi i Parisit është në favor të Shkupit dhe nuk konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Opozita ndërkohë u ka bërë thirrje qytetarëve që janë kundër kompromisit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të cilët nuk mund të vijnë dot në Shkup të nisin protestat nëpër qytetet e tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco