Para Kongresit amerikan, Micotaqis: Demokracia është vënë në provë nga Rusia

Para Kongresit amerikan, Micotaqis: Demokracia është vënë në provë nga Rusia

22:39, 17/05/2022
A+ Aa A-

Kryeministri grek Kiriakos Micotaqis i tha Kongresit amerikan të martën se besimi i përbashkët i dy vendeve tek "liria mbi tiraninë, tek demokracia mbi autoritarizmin" po vihet në provë ndërsa fliste për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Zoti Micotaqis e përdori fjalimin e tij në një seancë të përbashkët të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve për të ngritur lart "heroizmin" e ukrainasve që po luftojnë agresionin rus dhe për të theksuar se është e rëndësishme zgjedhja e anës së duhur të historisë.

"Ne zgjodhëm një anë. Pa mëdyshje. Ne qëndrojmë në krah të Ukrainës kundër agresionit të Putinit," tha ai mes ovacioneve të vazhdueshme të ligjvënësve amerikanë.

"Ai nuk do të ketë sukses," tha zoti Micotaqis për presidentin rus Vladimir Putin. "Ai nuk duhet të ketë sukses. Jo vetëm për hir të Ukrainës, por edhe për t'u dërguar një mesazh të gjithë udhëheqësve se revizionizmi historik dhe aktet e hapura të agresionit që shkelin ligjin ndërkombëtar, nuk do të tolerohen."

Udhëheqësi grek ndodhet në Uashington këtë javë për të shënuar dyqindvjetorin e fillimit të luftës së Greqisë për pavarësi që çoi në përmbysjen e Perandorisë Osmane. Udhëtimi i tij synon të përforcojë bashkëpunimin e fortë të vendit të tij për energjinë dhe mbrojtjen me Shtetet e Bashkuara në një kohë trazirash globale.

Duke e ftuar atë në podium për fjalimin, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi vuri në dukje "lidhjen e palëkundur" mes dy vendeve duke thënë se themeluesit e Shteteve të Bashkuara u mbështetën në idealet e lashta greke të lirisë dhe demokracisë. "Vendet tona janë aleatë kryesorë në skenën botërore," tha Pelosi.

"Ndërsa bota jonë përballet me një moment kyç në luftën midis forcave të demokracisë dhe autokracisë, aleanca transatlantike mbetet jetike për të ardhmen e lirisë në botë," tha ajo.

Qeveria e kryeministrit Micotaqis ka qenë e hapur në kritikat e saj ndaj agresionit rus. Megjithatë lufta në Ukrainë ka shqetësuar gjithashtu politikanët grekë si një burim i mundshëm i paqëndrueshmërisë më të gjerë rajonale dhe një mundësi për Turqinë fqinje që të vendosë kushte diplomatike për aleatët e saj kryesorë perëndimorë.

Në seancën e Kongresit merrte pjesë edhe nënpresidentja Kamala Harris.

Kryeministri Micotaqis tha se grekët dhe të tjerë kishin qenë naivë që kishin neglizhuar shenjat paralajmëruese të manifestuara nga agresionet e mëparshme të Presidentit rus, përfshirë pushtimin e Krimesë, pasi kishin besuar në një paqe të pasluftës në Evropë.

"Tani e dimë që gabuam," tha ai, duke shtuar se grekët që kanë lidhje të gjata historike me qytetet e rrethuara ukrainase Mariupol dhe Odessa "u tmerruan " nga dhuna vetëm 800 km në veri të tyre në Ukrainën jugore.

"Më lejoni të jem shumë i qartë, ne nuk kemi armiqësi ndaj popullit rus," tha ai. "Por ne nuk mundemi, nuk mund të jemi indiferentë ndaj një beteje që na kujton kaq shumë ato tonat."

Presidenti Biden e priti kryeministrin grek në Shtëpinë e Bardhë të hënën dhe e falënderoi për "udhëheqjen morale" të vendit të tij pasi filloi sulmi rus ndaj Ukrainës.

Zoti Biden vlerësoi Greqinë për "qartësisë e saj morale", që u shfaq nga vendosja e shpejtë e sanksioneve kundër Rusisë pas sulmit të 24 shkurtit, duke i ofruar Kievit ndihmë ushtarake dhe duke strehuar refugjatët ukrainas që largohen nga konflikti.

"Ne po ndihmojmë ukrainasit t'i thonë jo agresionit rus," tha zoti Biden. "Dhe ne po i themi jo tiranisë, idesë se autokracitë do t'ua kalojnë demokracive në shekullin e 21-të."

Ndërsa Evropa synon t’i japë fund varësisë nga energjia ruse, zoti Micotaqis ka ngritur me forcë idenë që Greqia të bëhet një qendër energjetike për të sjellë në Evropën Lindore gaz dhe energji të ripërtëritshme, të prodhuara në Azinë jugperëndimore, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

"Greqia planifikon të luajë një rol të rëndësishëm si një portë për energjinë elektrike të prodhuar nga burime jo të shtrenjta dhe të rinovueshme," tha zoti Micotaqis të hënën.

Një gazsjellës i ri Greqi-Bullgari — i ndërtuar gjatë pandemisë COVID-19, që do të fillojë funksionimin komercial në qershor — është planifikuar të sjellë sasi të mëdha të gazit midis dy vendeve në të dyja drejtimet për të prodhuar energji elektrike, karburant dhe për ngrohjen e banesave.

Greqia, një vend i NATO-s, javën e kaluar zgjati zyrtarisht marrëveshjen e saj ushtarake dypalëshe me Shtetet e Bashkuara për pesë vjet.

Zoti Micotaqis ka shprehur mbështetje për Finlandën dhe Suedinë që kërkojnë anëtarësimin në aleancën e NATO-s, një zhvillim i mirëpritur nga shumica e grupit prej 30 vendesh me përjashtim të Turqisë, e cila prej dekadash është e mbërthyer në një mosmarrëveshje me Greqinë lidhur me kufijtë detare dhe të drejtat minerale në Mesdheun lindor./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco