‘Pse shteti lejoi rritjen e çmimeve?’/ Opozita maqedonase akuza qeverisë për rezervat ushqimore

‘Pse shteti lejoi rritjen e çmimeve?’/ Opozita maqedonase akuza qeverisë për rezervat ushqimore

22:10, 05/03/2022
A+ Aa A-

Kriza në Ukrainë e ka gjetur të papërgatitur Maqedoninë e Veriut, e cila ka mungesë të rezervave ushqimore dhe të karburanteve, ka thënë të shtunën opozita maqedonase, duke komentuar situatën me rritjen e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë.

“Nëse Qeveria e dinte për krizën, pse nuk u përgatit në kohë? Të gjitha vendet e rajonit e deklarojnë qartë dhe me zë të lartë gjendjen e rezervave dhe vetëm në vendin tonë Qeveria ka retorikë boshe. Për këtë arsye qytetarët janë të shqetësuar. Ata nuk i besojnë më qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, të administruar nga [kryeministri maqedonas, Dimitar] Kovaçevski. Pse shteti lejon rritjen e çmimit të bukës dhe varfërimin shtesë të qytetarëve që tashmë paguajnë 30% më shtrenjtë për rrymën dhe 70% karburantet më shtrenjtë në krahasim me periudhën e para krizës në Ukrainë”, thuhet në një reagim të partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.

Opozita thotë se “nga presidenti serb, Alesksandar Vuçiq ka mësuar se Maqedonia e Veriut ka kërkuar grurë dhe misër dhe sasia e kërkuar do të na dorëzohet. Qeveria arsyetohet në mënyrë të ngathët dhe krijon dyshime edhe më të mëdha te njerëzit”.

Por, nga Qeveria maqedonase kanë hedhur poshtë akuzat e opozitës duke thënë se vendi ka rezerva dhe se nuk duhet të krijohet panik në mesin e popullatës.

“Qytetarët nuk duhet të kenë frikë dhe të jenë të qetë. Grurë ka mjaftueshëm dhe furnizimi është në gjendjen më të mirë, dhe ajo që është më e rëndësishmja është se prodhimi vendas është rritur. Të gjitha lajmet e rreme dhe dezinformatat e VMRO-DPMNE-së, përmes të cilave tentojnë të shqetësojnë opinionin, kanë rënë në ujë. Në kohën e krizës globale, është veçanërisht e rëndësishme të mbështetet bujqësia vendase, e cila është një nga industritë tona kryesore”, ka deklaruar Trajan Dikovski, zyrtar i Lidhjes Social Demokrate në pushtet, njëherësh ish-ministër i Bujqësisë.

Kriza në Ukrainë besohet se ka ndikuar në rritjen e çmimeve të të gjitha prodhimeve ushqimore, ndërsa të premten në mbrëmje pati kolona të gjata para pikave të karburanteve pas përhapjes së disa informacioneve për mungesë të derivateve të naftës./ REL/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco