Kuvendi i Malit të Zi vendos sot për zv-kryeministrin Dritan Abazoviç

Kuvendi i Malit të Zi vendos sot për zv-kryeministrin Dritan Abazoviç

09:42, 03/02/2022
A+ Aa A-

Kuvendi i Malit të Zi këtë të enjte pritet që të vendosë në lidhje me propozimin për shkarkimin e zëvendëskryeministrit dhe liderit të Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviç. Mediat vendase bëjnë me dije se seanca në të cilën do të përcaktohet fati i zëvendëskryeministrit fillon në orën 11:00, dhe deri në orën 16:00 publiku duhet të marrë përgjigje për çështjen në fjalë.

Propozimi për shkarkimin e Abazoviç është dorëzuar disa ditë më parë në kuvend nga kryeministri i Malit të Zi Zdravko Krivokapiç, i cili në postin e tij ka propozuar ministrin aktual të Financave dhe Mirëqenies Sociale, Milojko Spajiç.

Vendimi tashmë është në dorë të deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi, por është e diskutueshme nëse do të ketë kuorum për mbajtjen e seancës, të kryesuar nga Aleksa Beçiç nga radhët e demokratëve.

Ndërkohë më herët Fronti Demokratik (DF) njoftoi se do të votojë për largimin e Abazoviçit dhe kjo është e vetmja parti që ka konfirmuar praninë e saj në seancë. Edhe pse demokratët e Aleksa Beçiçit kanë bërë “luftë” prej disa muajsh me deklarata, nuk përjashtohet që të pranojnë të jenë pjesë e qeverisë së pakicës, nëse ajo formohet realisht.

Qëndrimi i demokratëve është se nuk do të marrin vendime me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), ndaj konkluzioni është se nëse seanca mbahet, demokratët nuk do të votojnë për shkarkimin e zëvendëskryeministrit. Ndërsa kur bëhet fjalë për vetë DPS-në, kjo parti thotë se vendimet do t’i marrë menjëherë para seancës, varësisht nga zhvillimi i situatës politike.

Partitë e pakicës, me të cilat URA e Abazoviçit nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi, nuk do të votojnë për largimin e një njeriu që planifikon të formojë një qeveri, faktori kryesor i së cilës do të jenë partitë e pakicës.

Partia Popullore Socialiste (SNP) e Vladimir Jokoviçit nuk do ta mbështesë propozimin për shkarkimin e Krivokapiqit, sepse siç theksuan ata, me siguri që ditën e nesërme do të rrëzohet qeveria.

Nga ana tjetër vetë URA ende nuk e ka konfirmuar praninë e saj në seancë. Supozohet se shkak për këtë mosinteresim është fakti se vetëm një ditë më vonë do të mbahet seanca në të cilën deputetët do t’i votojnë një mocion mosbesimi të Qeverisë së Zdravko Krivokapiçit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco