Lajmi i fundit

LIVE/ Rinis mbledhja e Këshillit Bashkiak në Himarë

Miratohet kabineti i ri qeveritar i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski kryeministër

Miratohet kabineti i ri qeveritar i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski kryeministër

08:31, 17/01/2022
A+ Aa A-

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi të dielën para mesnatës kabinetin e ri qeveritar, të udhëhequr nga kreu social-demokrat, Dimitar Kovaçevski. Në parlamentin 120 vendesh, 62 ligjvënës votuan pro, ndërsa 46 ishin kundër.

Debati që u mbajt dy ditë me radhë, u shoqërua me polemika të shumta midis ligjvënësve të opozitës nga njëra anë dhe të shumicës parlamentare, nga ana tjetër.

VMRO-DPMNE-ja e opozitës thekson se zoti Kovaçevski nuk ka legjitimitetin e popullit “sepse nuk ka marrë pjesë në zgjedhje të drejtpërdrejta”; se është trashëgimtar i politikave korruptive të ish-kryeministrit Zoran Zaev, qeveria e të cilit ka manipuluar opinionin publik, sipas opozitës maqedonase, mbi mosmarrëveshjet me Bullgarinë dhe se kjo qeveri, nuk ka aftësi për ta integruar vendin në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski, tha se parlamenti është vendi i vetëm ku duhet të zhvillohen debate dhe të kërkohen e gjinden zgjidhje, teksa theksoi shpresat për një opozitë konstruktive dhe bashkëpunuese lidhur me vendimet në interes të qytetarëve.

“Legjitimiteti i qeverisë është i pakontestueshëm dhe me mbështetjen e shumicës parlamentare është i qëndrueshëm në 2.5 vitet e ardhshme. E bëj të qartë se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024”, u shpreh zoti Kovaçevski, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë kërkesën me këmbëngulje të opozitës për zgjedhje të parakohshme brenda vitit.

Ai theksoi përkushtimin ndaj kapërcimit të krizës ekonomike dhe energjetike që, sipas tij, burimin e ka tek pandemia e koronavirusit. Ai foli për transparencë gjatë punës, ndërsa premtoi ndihmë e subvencione për kompanitë e qytetarët për të kapërcyer vështirësitë gjatë krizës energjetike. Premtoi, po ashtu rritje të shpejtë të pensioneve dhe angazhimin rreth ngritjes së Prodhimit të Brendshme Bruto, punësime të reja, etj.

Përparësi të tjera për kabinetin e tij paraqesin integrimi evropian i vendit dhe në këtë kuadër, zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë fqinje lidhur me gjuhën dhe historinë. Sofja ka bllokuar procesin e bisedimeve të Shkupit me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, të martën në Shkup pritet të udhëtojë Kryeministri bullgar Kiril Petkov, i cili megjithatë në një prononcim për median bullgare ka mohuar ekzistencën e pakicës kombëtare maqedonase në Bullgari. Vendi fqinj kërkon, nga ana tjetër që pakica bullgare të zë vend në Kushtetutën maqedonase.

Kabineti i zotit Kovaçevski do të ketë 21 anëtarë, një më tepër se qeveria e pararendësit të tij, Zoran Zaev. Lidhja Social demokrate me partnerët e saj më të vegjël kanë 12 vende; Bashkimi Demokratik për Integrim, 6, aq sa kishte edhe në përbërjen e kaluar dhe partia Alternativa do të drejtojë 3 ministri.

Ministrat e LSDM-së në qeverinë e re janë:

Fatmir Bytyqi, Zv/kryeministër për çështje ekonomike,

Bojan Mariçiç, ministër për Çështjet Evropiane,

Sllavica Gërkova, ministre për Luftën kundër korrupsionit,

Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrotjes,

Oliver Spasovski, ministër i Rendit

Nikolla Tupançevski, ministër i Drejtësisë

Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë

Jovana Trençevska, ministër e Politikave Sociale

Bisera Konstadinovska Stojçevska, ministre e Kulturës,

Bllagoj Boçvarski, ministër i Transport,

Goran Milevski i PLD-së, ministër i Pushtetit Vendor.

Artan Grubi, (Zv/kryeministër) për Sistem Politik,

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme,

Fatmir Besimi, ministër i Financave,

Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit,

Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë,

Naser Nuredini, ministër i Ambientit Jetësor.

Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë,

Admirim Haliti, ministër i Shoqërisë Informatike,

Xhemal Çupi, pa portofol, do të ngarkohet me çështjet e diasporës./VOA/ 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco