Lajmi i fundit

Policia franceze vret një burrë që tentoi të djegë sinagogën

A flet me Vjosa Osmanin dhe çfarë raporti ka me Albin Kurtin? Behgjet Pacolli rrëfehet për SYRI Kosova

A flet me Vjosa Osmanin dhe çfarë raporti ka me Albin Kurtin? Behgjet Pacolli rrëfehet për SYRI Kosova

00:39, 04/01/2022 Nga Albionë Zhitia
A+ Aa A-

Behgjet Pacolli për herë të parë përmes një interviste në Syri Kosova ka zbuluar rreth raportit që ka me Kryeministrin Albin Kurtin dhe Presidenten Vjosa Osmani.

Pacolli tha se me Kurtin kanë dallime ideologjike të mëdha prandaj edhe nuk mund të kenë ndonjë raport.

“Nuk kemi ndonjë raport, kemi dallime ideologjike, unë jam liberal dhe besoj në ekonomi të lirë të tregut dhe fuqizim të biznesit, z. Kurti duket se qëndron në anën e kundërt të kësaj”.

I pyetur nëse flet me Presidenten Vjosa Osmani, Pacolli ka thënë se ka pasur rol konstruktiv kur u bë presidente, por që nuk ka ndonjë raport me të.

“Kam luajtur një rol konstruktiv ndaj Presidentes Osmani kur është zgjedhur. Tentoj të mbaj një raport korrekt me institucionin e Presidentit, por nuk është që kam ndonjë raport me Presidenten Osmani”, shprehet Pacolli për Syri.net.

Intervista e plotë:

Syri.net Kosova: Zotëri Pacolli, pashmangshëm këtë intervistë duhet ta nisim me dialogun, duke pasur parasysh se dikur keni qenë edhe pjesë e tij. Si po e shihni situatën e negociatave tani ndërmjet Prishtinës e Beogradit?
Behgjet Pacolli: 
Si duket dialogu ka arritur në një pikë bllokuese dhe strategjia e tanishme e qeverisë për të shkuar vetëm në takime sa për të thënë se jemi konstruktivë është demaskuar nga vet ndërmjetësi, Bashkimi Evropian, që tani kushtëzon thirrjen e takimeve me progres konkret, që duket të jetë larg. Besoj se Kosova duhet të koordinohet me aleatët, të ketë unitet të brendshëm dhe të gjejë forcën për të synuar një marrëveshje që sjell njohje të ndërsjellë dhe zhbllokimin e Kosovës në arenën evropiane dhe ndërkombëtare. Ne duhet të kemi më pak frikë nga dialogu dhe më shumë vizion që të shënojmë progres. Aktualisht asgjë s’po fiton Kosova nga bllokada në dialog dhe izolimi në të cilin është katandisur. Nuk ka kuptim të vazhdohet me këtë situatë dhe duhet guxim e lidership që të dilet nga ky rreth vicioz. Bota po ndryshon dhe krizat e ndryshme nuk do të mundësojnë që Kosova të ketë vëmendjen ndërkombëtare përgjithmonë, por as përkrahjen nëse sillet si fëmijë i lazdruar. Nëse ne dështojmë të arrijmë një marrëveshje gjatë Administratës Biden, ku i tërë establishmenti i politikës së jashtme ka qenë i përfshirë në një apo tjetër formë në Kosovë në këto tri dekada, atëherë kemi probleme serioze.

Syri.net Kosova: Çështja që ka bllokuar dialogun këta muaj është ajo për themelimin e Asociacionit. Pyetja jonë është se ju si një nga ish ministrat e jashtëm, a jeni pro krijimit të Asociacionit?
Behgjet Pacolli:
 Unë jam pro asaj që Kosova të sillet si shtet serioz që respekton obligimet ndërkombëtare dhe që i beson aleatëve të vet. Nëse dikush mendon se SHBA dhe Bashkimi Evropian, që janë sponsorë të Asociacionit, dëshirojnë të krijojë Republika Srpska në Kosovë apo çkado tjetër dhe se ata nuk e dinë çfarë rreziku paraqet Serbia, sinqerisht nuk e di ku jetojnë. Asociacioni nuk ka mundësi të shmanget, është obligim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë në bashkëpunim me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian dhe Kosova duhet të ndjekë hapat që të lëvizë drejt veprimeve që respektojnë Kushtetutën e Kosovës dhe e tregojnë Kosovën si vend serioz që di të respektojë obligimet ndërkombëtare. Me këtë logjikë që mbizotëron sot në Kosovë,  kemi fat që s’e kemi pasur në momente kritike për vendin, nuk do të kishte ndodhur Rambujeja dhe bombardimi i Serbisë dhe nuk do të kishte ndodhur Athisaari dhe shpallja e pavarësisë. Paranoja nuk ka vend në politikë, por vendit i duhet lidership, jo izolim dhe frikë nga aleatët tradicionalë të Kosovës.

Syri.net Kosova: 2021 mund të konsiderohet si viti i zgjedhjeve në Kosovë, të cilat sollën ndryshime në hartën e saj politike. Si po e shihni punën e Qeverisë Kurti 2 për kaq kohë sa është në pushtet?
Behgjet Pacolli:
 Po duket se ende nuk e kanë kaluar fazën e internshipit, s’po shoh qeverisje, as politika të mirëfillta, qoftë ekonomike, sociale apo në fusha të tjera. Si në pandemi, ashtu edhe tani në krizën energjetike, po shohim më shumë veprime pasi të ndodh diçka se sa masa paraprake. Nga anëtarët e qeverisë më shumë ka fokus të bëhet politikë ditore se sa të ketë qeverisje, hapen beteja me grupe të ndryshme në vend, krijohen armiq artificialë e shumë sjellje të çuditshme që nuk i duhen qeverisë. Po shpresoj se do ta marrin veten dhe do të dëshmojnë se vota që kanë marrë nuk do të jetë mashtrim për qytetarët, sepse pritjet janë të mëdha dhe kapaciteti i qeverisë është jashtëzakonisht i vogël karshi pritjeve. Nuk e di në këta muaj çka mund të llogaris si sukses.

Syri.net Kosova: Në këtë kohë pandemie kishim dy qeveri të ndryshme, por si e vlerësoni ju menaxhimin e gjithë situatës nga ana e qeverisë aktuale?
Behgjet Pacolli:
Pandemia ka treguar që në Kosovë ka më shumë politikë ditore se sa qeverisje. Kam pritur më shumë, por mënyra se si është hapur vendi gjatë verës dhe vdekjet e shumta nga një politikë e dështuar ad-hoc në momente të fundit ka shkaktuar dhimbje tek shumë familje dhe shumë dëme ekonomike ndaj bizneseve. Krahas kësaj, duhet thënë se qeveria ka qenë e suksesshme në marrjen e vaksinave, por zakonisht qeveritë nuk lavdërohen për vaksinim, sepse ka të bëjë me vet popullatën, mjekët dhe stafin shëndetësor në terren që meritojnë lëvdatat për procesin e vaksinimit. Pra aty ku politika ka qenë më pak prezente kemi shënuar sukses, ku ka qenë më shumë e përfshirë si vendimet për mbyllje dhe hapje me teke të individëve pa analiza dhe injorim të gjendjes, kemi parë dështime me fatalitet.

Syri.net Kosova: Pak më herët prekëm pak pozicionin tuaj të dikurshëm, atë të ministrit të jashtëm. Sipas jush, tani Qeveria Kurti a po bën mjaftueshëm në fushën e diplomacisë?
Behgjet Pacolli:
Duke qenë se kam qenë vet Ministër i Jashtëm, i kuptoj sfidat me të cilat përballet vendi dhe kufizimet që kemi si shtet. Për këtë tentoj të jem shumë i rezervuar në tema rreth diplomacisë, sepse besoj në vullnetin dhe kapacitetin e diplomacisë sonë, por edhe nuk i bën nder vetit apo vendit një Ministër i Jashtëm të jetë kritik ndaj pasardhësve të tij apo institucionit të cilin e ka udhëhequr. Unë si gjithnjë jam i gatshëm të ndihmoj aty ku mundem dhe besoj se ka hapësirë të punohet në shumë drejtime, por është çështje e titullarëve aktualë në Ministri dhe Qeveri të përcaktojnë prioritetet dhe synimet e veta dhe mandej të shohim se a ia kanë dalur apo jo. Kam parë emërime të mira në pozitat udhëheqëse në diplomaci në javët e fundit, me shumicën kam pasur rastin të punoj apo të shoh punën e tyre dhe besoj se diplomatët e karrierës do të japin më të mirën e tyre në shërbim të vendit.

Syri.net Kosova: Derisa po flasim për politikën e jashtme, nuk mund t’i ikim pyetjes se ku e rendisni veten si kryediplomat për aq kohë sa ishit në këtë pozitë?
Behgjet Pacolli
: Tentoj të jem modest në punën dhe jetën time. Nuk do të hyj në rangime, por mund të them që jam krenar me punën që kam bërë në promovimin e Kosovës, në njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Për disa kam folur, në të ardhmen do të shkruaj një libër për pjesën e politikës së jashtme dhe diplomacisë ku do të tregoj atë që është bërë. Por besoj se Kosova ka potencial të zhvillojë politikën e jashtme si duhet dhe unë edhe tani aty ku jam dhe me njerëz që takoj, kërkoj njohjen e Kosovës dhe promovoj vendim tim.

Syri.net Kosova: Aktulisht jeni deputet i Kuvendit të Kosovës, por keni deklaruar se nuk merrni asnjë cent nga shteti i Kosovës. Ku e shpërndani pagën e deputetit?
Behgjet Pacolli:
Paga ime shkon ne Fondacionin Behgjet Pacolli, nga ku përkrahen shumë familje për të kaluar muajin dhe zhvilloj aktivitete të tjera sociale dhe humanitare. Sa për ilustrim, sa kam qenë Ministër i Jashtëm kam kërkuar që paga të shkojë në Fondacionin tim drejt që të përfitojnë familjet që janë përfituese të ndihmave nga Fondacioni. Deri më sot as unë as Fondacioni nuk kanë pranuar pagën për detyrën që kam ushtruar të Ministrit të Jashtëm.

Syri.net Kosova: Në 2021 u mbajtën edhe zgjedhjet lokale. Sa jeni i kënaqur me rezultatet e fundit dhe renditjen e AKR-së nëpër komuna?
Behgjet Pacolli:
 Rezultatet zgjedhore kanë treguar elektorat stabil të Aleancës Kosova e Re (AKR-së) nëpër komunat e ndryshme ku kemi garuar, posaçërisht në zonat e Prishtinës, ku AKR ka një elektorat tradicional. AKR ka qenë një forcë politike kyçe për fitoren e z. Përparim Rama në Prishtinë dhe të z. Bedri Hamza në Mitrovicë, sepse kemi besuar se kjo është rruga e duhur që qytetarët në këto komuna të kenë një qeverisje të mirë dhe progresive që ua përmirëson jetën dhe shërbimet komunale. Vitet e ardhshme besoj se do të dëshmojnë se zgjedhja jonë ka qenë e drejtë dhe e duhur për të ardhmen e këtyre komunave. Ne do të vazhdojmë si AKR të luajmë rolin tonë, qoftë në bashkëqeverisje në komunat ku do të jemi, apo edhe në asambletë komunale si opozitë konstruktive që synim e ka përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Syri.net Kosova: Përparim Rama nga LDK fitoi Prishtinën, por a keni marrë ftesë për një koalicion në Prishtinë?
Behgjet Pacolli:
 Deri më tani jo, por të shohim në ditët dhe javët në vazhdim. AKR është e gatshme të japë kontributin e saj në Prishtinë, kemi dëshmuar në vitet e kaluara që AKR është forcë shtytëse e projekteve infrastukturore për ndryshim të qytetit dhe jemi të gatshëm që të ndajmë eksperiencën tonë me Kryetarin Rama.

Syri.net Kosova: Prej që AKR-ja është krijuar, në shumicën e rasteve ka qenë partia që e ka ofruar gjithmonë një votë më shumë për të dalë vendi nga kriza, qoftë për të bërë qeverinë ose edhe për të marrë postin e Presidentit. A keni marrë së paku ndonjë falënderim për këtë që e keni bërë?
Behgjet Pacolli:
 Unë politikën nuk e shoh garë ku duhet të luftohet pala tjetër. Politikën e shoh si fushë të konsensusit ku partitë politike garojnë me programe të ndryshme dhe në fund bartin përgjegjësi në institucione nga Kuvendi deri në Qeveri për t’i shërbyer qytetarëve të vendit. Kosova ka pasur shumë kriza politike, shumë drama nganjëherë joracionale dhe këto i kanë kushtuar vendit në të gjitha sferat. Unë nuk jam njeri i krizave as i dramave dhe kam tentuar të luaj një rol konstruktiv dhe nëse aty është varur nga unë zhbllokimi i krizave, e kam bërë. E di që në Kosovë dhe në mendësinë që është zhvilluar shpesh kjo nuk kuptohet, por kjo është kultura dhe qasja ime dhe këtë do ta bëj gjithnjë. Në atë se a është vlerësuar kjo, mund të them se jo, por unë ndjehem rehat dhe krenar me veprimet e mia politike.

Syri.net Kosova: A konsideroni se vila juaj në Hajvali është vendi që bëri kthesën e zhvillimeve politike në Kosovë që nga 2014?
Behgjet Pacolli:
 Në shtëpinë time janë zhvilluar shumë takime, janë bërë shumë biseda dhe janë marrë shumë vendime, nuk e di a është bërë kthesa politike në 2014 apo jo. Nganjëherë kam përshtypjen se atë vit filloi numërimi mbrapsht për Kosovën, ku zhytemi në krizë pas krize, inate të mëdha dhe drama politike që i kanë kushtuar vendit.

Syri.net Kosova: Hajvalia këtë herë nuk ishte vendi ku u formua qeveria, por cili është raporti i juaj me Albin Kurtin momentalisht?
Behgjet Pacoll
i: Nuk kemi ndonjë raport, kemi dallime ideologjike, unë jam liberal dhe besoj në ekonomi të lirë të tregut dhe fuqizim të biznesit, z. Kurti duket se qëndron në anën e kundërt të kësaj.

Syri.net Kosova: Po me Vjosa Osmanin keni komunikim?
Behgjet Pacolli
: Kam luajtur një rol konstruktiv ndaj Presidentes Osmani kur është zgjedhur. Tentoj të mbaj një raport korrekt me institucionin e Presidentit, por nuk është që kam ndonjë raport me Presidenten Osmani.

Syri.net Kosova:  Të flasim tani pak për ish-krerët e UÇK-së. Keni deklaruar se keni shkuar në vizitë te ish-krerët e UÇK-së në Hagë, kë e takuat të parin dhe çfarë biseduat?
Behgjet Pacolli:
 Kam vizituar ish-Presidentin Hashim Thaçi, i cili gjendet në paraburgim për gati një vit nga Gjykata Speciale në Hagë. Për pak kohë, me kënaqësi takuam edhe ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-deputetin Rexhep Selimi. Të tjerët kësaj radhe nuk kam mundur t’i takoj. Në këto dekada që njihemi, është hera e parë që për një kohë kaq të gjatë nuk jam takuar me Presidentin Thaçi. Është momenti i fundit që shteti i Kosovës të merr përgjegjësi dhe që të bashkuar të mbrojmë historinë tonë, luftëtarët tanë të lirisë dhe të ardhmen e këtij vendi. Në Hagë nuk janë të akuzuar individët, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe misioni i saj për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Syri.net Kosova: Njiheni për miqësi të shumëta në politikë. Cili është politikani shqiptar që e keni mik, përtej dallimeve politike?
Behgjet Pacolli: 
Kam shumë miq në politikën e Kosovës dhe jashtë saj. Kam nje marrëdhënie shumë të afërt dhe të ngrohtë me Kryeministrin Rama, i cili po dëshmon se është një burrështetas i vërtetë që Shqipërisë po i hap shtigje të reja. Por në Kosovë, Shqipëri, në rajon dhe botë kam shumë miq që janë politikanë, kanë pozita politike apo janë larguar nga politika dhe nga vendi në vend gjithmonë ka hirarki raportesh me njerëz.

Syri.net Kosova: Të kthehemi pak në retrospektivë: kur ka qenë momenti më i vështirë për të marrë një vendim rreth zhvillimeve politike ndër vite?
Behgjet Pacolli: 
Ka pasur shumë momente të tilla, besoj një ka qenë kur është arrestuar Djuric ku si MPJ kishim rol në refuzimin e vizitës dhe mandej reagimin ndaj mos-respektimit të vendimit të Ministrisë, por edhe momente të tjera që duhet më gjatë të shtjellohen.

Syri.net Kosova: Tani do të donim të preknim pak edhe zhvillimet politike në shtetin amë, Shqipëri. A jeni duke parë zhvillimet politike atje, më konkretisht si e komentoni gjendjen e PD-së?
Behgjet Pacolli:
Shqipëria është vend kyç për Kosovën dhe shpresoj që atje të ketë zhvillime të mira dhe pozitive. Nuk e kam zakon të komentoj zhvillimet në parti politike, posaçërisht në Shqipëri, sepse kam shumë miq dhe nuk është korrekte nga Kosova të flas se si të jetë një parti politike në Shqiperi dhe çka është mirë apo keq. I mbetet qytetarëve dhe politikanëve në Shqipëri të vlerësojnë cilindo veprim, unë dua më të mirën për Shqipërinë dhe shpresoj që vetëm lajme pozitive të dëgjojmë.

Syri.net Kosova: Momentalisht keni nisur një projekt shumë të madh dhe të nevojshëm në Shqipëri, ndërtimin e aeroportit të Vlorës. A keni në plan ta bëni ndonjë projekt tjetër të përmasave të tilla në Shqipëri apo në Kosovë?  
Behgjet Pacolli:
Ka qenë një privilegj i madh për mua të filloj ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, në një ditë historike për kombin. Dikur një ëndërr, sot një realitet. Një mega projekt për ekonominë, turizmin shqiptar dhe të ardhmen e ndritur që e pret Shqipërinë dhe shqiptarët. Jam i lumtur për këtë investim që ndodh në harmoni të plotë me kërkesat e ekonomisë liberale, ku shteti krijon kushte në të gjitha industritë e investitori investon kapitalin dhe diturinë e vet. Pa dyshim në Vlorë do të ndërtohet aeroporti më modern e më funksional në rajon. Unë gjithmonë kam dashur dhe dëshiroj të realizoj projekte të mëdha ekonomike dhe infrastrukturore në Kosovë apo Shqipëri, por shpesh jam përballur me sfida qoftë politike, intriga, bllokada procedura dhe kompanitë nuk kanë kohë të presin, shikojnë tregjet dhe mundësitë ku mund të zhvillohen projektet. Vlora është mundësia që kam dashur të realizoj dhe me këtë dua të dëshmoj dhe tregoj që kur krijohen kushtet e duhura, aty do të jem.

Syri.net Kosova: Të kalojmë tani pak tek përditshmëria juaj. Përveç një politikani e biznesmeni, jeni dhe prind. Sa po keni kohë për të qëndruar më afër familjes?
Behgjet Pacolli
: Dekadat dhe vitet e fundit kanë qenë të ngarkuara për mua. Puna, politika, biznesi më kanë mbajtur shpesh larg familjes, udhëtimet kanë bërë që të mos jem shpesh në shtëpi, por tentoj gjithmonë kohën t’ia përkushtoj familjes, e gati këto dy vitet e fundit sa ka qenë pandemia, kam pasur mundësi të jem më afër familjes dhe të kaloj kohën me ata qoftë në Kosovë, Zvicër apo Shqipëri. Ka qenë një periudhë të cilën e kam shijuar dhe po e shijoj dhe më ka dhënë mundësi të shoh kohën që shpesh e kam humbur larg shtëpisë.

Syri.net Kosova: Tani jemi në vitin e ri 2022, ku e pritët Vitin e Ri?
Behgjet Pacolli:
 Vitin e ri si cilëndo festë tjetër e pres me familjen time në shtëpi. Nuk ka vend dhe shoqëri më të mirë se sa familja për festa.

Syri.net Kosova: Me cilin projekt humanitar ndiheni më së shumti krenar, duke qenë se njiheni si personi me zemrën më të madhe që ka Kosova?

Behgjet Pacolli: Jam krenar me çdo projekt social dhe humanitar që kam bërë. Jam aktiv me Fondacionin tim ku zhvilloj aktivitete të ndryshme dhe tentoj të ndihmoj aty ku mundem. Së fundi përuruam banesat në Thumanë të cilat ishin shkatërruar nga tërmeti në Shqipëri, por për shkak të pandemisë punimet ishin ngadalësuar. Më ka bërë krenar dhe të lumtur të shoh qytetarët të rikthehen në vendbanimet e tyre dhe të fillojnë jetën e re.

Syri.net Kosova: Kemi parë që në rrjetin social Facebook jeni shumë aktiv. E menaxhoni ju llogarinë apo keni ekip, për shkak se vazhdimisht u përgjigjeni komentuesve.

Behgjet Pacolli: Jam vet aktiv ne rrjete sociale, tentoj të komunikoj dhe të bashkëbisedoj me qytetarët. Shpesh dhe posaçërisht në vitet e fundit e shoh një vulgaritet të madh në rrjete sociale, një gjuhë urrejtjeje që më përngjan me të djathtën radikale që e shohim në Evropë që kërcënon, terrorizon njerëz. Shpresoj do të ketë më shumë vetdijësim dhe përmirësim të komunikimit në rrjete sociale./ Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco