‘Çështja Taçi’ zhvendoset në Mal të Zi, hetim edhe për presidentin Gjukanoviç

‘Çështja Taçi’ zhvendoset në Mal të Zi, hetim edhe për presidentin Gjukanoviç

11:36, 19/11/2021
A+ Aa A-

Presidentit i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka reaguar për herë të parë pasi  i doli emri në përgjimet e Anti-Mafies italiane që përfshijnë hetimet për ish-manjatin shqiptar të naftës, Rezart Taçi, në lidhje me transferimin e një shume prej rreth 19 milionë euro nga Zvicra në Tiranë me destinacion final Singaporin ose Hong Kongun.

Ky reagim vjen pasi dosja italiane për Rezart Taçin, do të hetohet edhe në Malin e Zi.

“Është një aferë tërësisht e fabrikuar. Nuk e di kush janë njerëzit, as kam pasur kontakte me ta në asnjë mënyrë… ky është një falsifikim i plotë, por këto falsifikime janë bërë një lloj praktike në jetën politike në Mal të Zi”, ka deklaruar presidenti në një konferencë për shtyp.

Mësohet se Gjukanovic do të merret në pyetje nga prokuroria në lidhje me skandalin, por vetë ai i ka mohuar akuzat dhe ka shprehur gatishmërinë për t`iu përgjigjur ftesës së drejtësisë.

Në përgjimet e publikuara nga mediat italiane dhe shqiptare, del se Gjukanoviç ishte skenari rezërvë i Taçit për të futur në sistem paratë e mafias italiane. Në rast se ai do të dështonte me bankat në Shqipëri, Taçi garantonte se do të fliste me mikun e tij president, dhe do ta zgjidhte situatën në Malin e zi, përmes transferimit të parave në “Prva Bank”.
Banka është në pronësi të Aco Gjukanoviç, por edhe vëllai i presidentit. Gjukanoviç i mohoi pretendimet gjatë një konference shtypi në Cetinje.

Sipas tij, mediat thjesht po përpiqen të dëmtojnë bankën dhe aksionerët e saj.

Shqetësimet në lidhje me këtë bankë dhe pastrimin e parave janë ngritur që nga viti 2016, kur Parlamenti Evropian i kërkoi Malit të Zi të hetojë dhe ndjekë penalisht korrupsionin e nivelit të lartë, duke përfshirë një bankë.

Prokuroria malazeze konfirmoi se kishte hapur një hetim për rastin, kurse Gjukanoviç i cili është njëkohësisht lider i opozitës, ka thënë se pavarësisht nga ky hetim në të cilin është i gatshëm që të japë shpjegimet e tija, ai mbështet “çdo iniciativë” për të hequr qeverinë aktuale.

“Ju e keni të qartë se ne do të mbështesim çdo iniciativë për heqjen e saj, e keni të qartë se është dashur të bëhet dje dhe jo disa ditë më vonë”, tha ai në të njëjtën konferencë për shtyp ku sqaroi situatën në “Çështjen Taçi”.

Partia që drejton Gjukanoviç, DPS, ishte më e forta në zgjedhjet e vitit 2020, por nuk mundi të formonte një koalicion. Ai tha se një nismë për largimin e qeverisë do të shpallet në ditët në vijim.

Në dokumente e antimafias italiane të zbardhura nga mediat italiane, përveç presidentit malazez, përmendet edhe vëllai i tij Aco, aksionari më i madh i “Bankës së Parë” të Malit të Zi. Raporti përmban një transkript ku përmendet Gjukanoviç në kontekst të një ndërhyrjeje për një transaksion.

Menjëherë pas publikimit të skandalit portali RTCG kërkoi një koment nga presidenca malazeze, por atëherë nuk mori përgjigje. Kurse Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, u deklarua se  kërkon hetim të plotë.

“Sektori i sigurisë do të veprojë sipas ligjit dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të hetimit. Për ne nuk ka të paprekshëm. Qëllimi ynë është të ketë një qasje sa më të gjerë të drejtësisë. Shpresojmë gjithashtu që Prokuroria të ndjekë këtë shembull dhe të reagojë në mënyrë aktive”, tha politikani shqiptarë.
Ndërkohë në Shqipëri është arrestuar kunati dhe ish-truproja i Rezart Taçit, kurse ky i fundit edhe pse jep intervista në mediat shqiptare hati çdo ditë, vijon që të jenë në kërkim ndërkombëtarë nga SPAK.

Ish-bosi shqiptar i naftës akuzohet për pastrim parash pasi dyshohet se ndihmoi një sipërmarrës kontrovers italian të dyshuar më parë për lidhje me “Cosa Nostra”-n, për të transferuar 19 mln euro nga Zvicra në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco