Maqedonia e V. regjistron shtatë të vdekur dhe 606 raste me COVID-19

Maqedonia e V. regjistron shtatë të vdekur dhe 606 raste me COVID-19

21:31, 05/11/2021
A+ Aa A-

Maqedonia e Veriut të premten (5 nëntor) ka regjistruar edhe shtatë të vdekur me COVID-19 si dhe 606 të infektuar, që njëherit paraqet edhe shifrën më të lartë të të infektuarve me koronavirus në dy muajt e fundit.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë i referohen testimit të 3,257 mostrave të bëra në laboratorët shtetërorë e privatë.

Viktimat janë, pesë në Shkup dhe dy në qytetin e Velesit, me çka numri i të vdekurave ka arritur në 7,204 persona, shumica prej të cilëve janë nga Shkupi.

Numri më i lartë i të vdekurve apo mbi 80% janë të moshës mbi 60 vjeç. Në mesin e pacientëve që ndërruan jetë është edhe një 16 vjeçare që ka pa pasur sëmundje të tjera kronike.

Sa i takon të infektuarve, numri më i madh është regjistruar në Shkup, gjithsej 238, në Manastir-68, në Koan-30, Kavadar-29, Kumanovë dhe Prilep-28 ndërsa numër më i vogël në 25 qytete tjera.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 320 persona të shëruar. Raste aktive me koronavirus janë 7,552 persona.

Përkundër rritjes së numrit të të infektuarve, institucionet ende nuk kanë dalë me të dhëna mbi shkaqet e rritjes së rasteve, por nga Klinika Infektive besojnë se kjo ka bëjë me mungesën e masave dhe shkeljen e protokolleve gjatë fushatës elektorale në dy raundet e zgjedhjeve lokale më 17 dhe 31 tetor.

Autoritetet shëndetësore gjithashtu kanë ngritur alarmin për rënien e interesimit për vaksinim. Deri më tani është imunizuar 37,5% e popullsisë me nga dy doza, shifër kjo larg pritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila kishte paralajmëruar se deri nga mesi i muajit të kaluar do të vaksinohet gjysma e popullatës dy milionëshe.

Të premten ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal dhe interesimi për këtë vaksinë është i lartë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, brenda 24 orëve për këtë vaksinë janë paraqitur rreth 11 mijë persona. /Rel/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco