Shtohen rastet me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

Shtohen rastet me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

18:29, 03/11/2021
A+ Aa A-

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut bëjnë të ditur se po rritet numri i personave të prekur me koronavirus. Sipas të dhënave të fundit, brenda 24 orëve janë regjistruar 593 raste nga 3,391 teste për COVID-19. Numri më i madh i tyre është në Shkup. Javën e fundit, të rinjtë e moshës nga 20 deri 29 vjeç kanë qenë më të prekur.

Në spitale janë shtruar 476 pacientë, 8 prej të cilëve në gjendje më të rëndë, sipas Institutit të Shëndetit Publik. Numri i viktimave, që nga shpërthimi i pandemisë, ka arritur në 7,160. Shkalla e vdekshmërisë vazhdon të jetë ndër më të lartat jo vetëm në krahasim me vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë. Ndërkohë, rreth 6,900 janë raste aktive. Në mesin e viktimave të regjistruara të marten, është një vajzë 16 vjeçe nga rrethinat e Tetovës, për të cilën mjekët thanë se ishte sjellur në spital në gjendje tepër të vështirë, ndërkohë që nuk kishte qenë e vaksinuar. Mjekët nuk kishin dijeni nëse pacientja kishte pasur sëmundje kronike. Edhe para një jave u njoftua për vdekjen e një vajze 17 vjeçe nga koronavirusi.

Qeveria para pak ditësh ka lehtësuar masat anti-Covid, duke lejuar punën e klubeve të natës dhe duke lejuar restorantet e lokalet tjera që të pranojnë klientë, nga 30 përqind sa ishte më parë, në 50 përqind të kapacitetit të tyre. Kritikët vlerësojnë se kjo u bë për qëllime politike të përfitimit të votave në zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa mjekët kanë paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së virusit për shkak të këtij vendimi.

Ndërkohë, ka rënë interesimi për marrjen e dozës së parë të vaksinës. Brenda një dite janë më pak se një mijë veta të cilët kërkojnë të imunizohen. Por, nga ana tjetër numri i personave që shfaqin interesim për të marrë dozën e tretë përforcuese po vjen duke u rritur. Këta janë njerëz ose më të shtyrë në moshë apo me imunitet më të dobët, por dhe të tillë të cilët dy dozat e para i kanë marrë nga prodhuesit kinez Sinopharm dhe Sinovac, efektshmëria e të cilave bie pas muajit të tretë të injektimit, sipas konstatimeve të përgjithshme të pranuara edhe nga ekspertët në Maqedoninë e Veriut. Tani këta njerez po e marrin dozën e Phizer si përforcuese.

Sipas të dhënave zyrare, deri tani mbi 807 mijë qytetarë janë vaksinuar ose 39 përqind e popullatës së vendit, ndërsa dy doza të vaksinës kanë marrë 35 përqind e popullatës së përgjithshme. /Voa/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco