Lajmi i fundit

Dogjën qëllimisht 2 automjete, shoqërohen 4 autorët e dyshuar në Korçë

Murgjit grekë refuzojnë të largohen nga ishulli në zjarr, si për çudi flakët ndalin përpara manastirit

Murgjit grekë refuzojnë të largohen nga ishulli në zjarr, si për çudi flakët ndalin përpara manastirit

10:43, 05/08/2021
A+ Aa A-

Greqi - Të paktën 150 shtëpi janë shkatërruar nga një zjarr i furishëm që rrethoi një manastir dhe një duzinë fshatrash në ishullin grek Evia, një nga mbi 100 vatrat e zjarreve që po digjen në vend. Zjarrfikësit po vazhdonin gjithashtu të luftonin një zjarr pranë Athinës të enjten në mëngjes, ndërsa kryebashkiaku i Olimpisë, vendlindja e Lojërave Olimpike, u lut për ndihmë pasi flakët kërcënuan vendin.

"Ne po zhvillojmë një betejë titanësh!" u tha Zv.Ministri për Mbrojtjen Civile Nikos Hardalias, gazetarëve. "Më e vështira nuk ka ardhur akoma."

Ekspertët kanë paralajmëruar se ngrohja globale po rrit frekuencën dhe intensitetin e zjarreve të tillë.

Në Evia, flakët e mëdha që hidheshin nga pylli mund të shiheshin nga deti. Zjarrfikësit thanë se ishte një zjarr i vështirë për t’u kontrolluar në një ishull kodrinor me pak shikueshmëri.

Flakët ndalen para manastirit

Tre murgj nga Manastiri i Shën Davidit kishin refuzuar të largoheshin, por banorët ishin evakuuar nga fshatrat përreth.

"Ne po mbytemi për shkak të tymit", tha një nga murgjit për agjencinë e lajmeve ANA me telefon, duke përshkruar flakët 30 deri në 40 metra të larta që rrethonin manastirin.

Policia i tha AFP se do t'i detyronte murgjit të evakuoheshin nëse jeta e tyre ishte në rrezik. Rreth 85 persona të mbledhur në një plazh ndërkohë u evakuuan me pesë varka.

Menjëherë pas orës 9:30 të mëngjesit të së mërkurës, u urdhërua edhe evakuimi i Manastirit të Shën Davidit, ndërsa gjatë natës u evakuuan vendbanimet Kalamoudi, Damia dhe Paleochori. Deri të martën në mbrëmje, vendbanimet Kourkouli, Chronia, Sepiada, Retsinolakkos gjithashtu ishin evakuuar. "Nëse jeni në vendbanimet Kourkouli ose Skepasti në Evia, evakuohuni tani në Kehries përmes Skepasti. Zjarr pyjor në zonën tuaj" thuhej në mesazhin e Zjarrfikësve..

Situata ishte kritike për Manastirin e Shën Davidit në Evia, i cili ishte rrethuar nga flakët dhe nuk kishte asnjë ndihmë, ndaj shkatërrimi i tij ishte i sigurt. Por si për mrekulli flakët u ndalën në oborrin e manastirit dhe manastiri historik mbeti i paprekur.

Lajmi u konfirmua nga Zv.guvernatori Rajonal, z. Vourdanos, i cili deklaroi se vetëm kishat e vogla që ndodheshin përreth manastirit janë dëmtuar.

Më herët, autoritetet, murgjit dhe ata që kishin nxituar të ndihmonin që manastiri të mos shkatërrohej nga zjarri, ishin urdhëruar ta evakuonin.

Abati Gabriel në dëshpërim kishte raportuar se manastiri u braktis në mëshirën e Zotit. Po mrekullia ndodhi…"Njerëzit mund ta kenë braktisur, por Zoti ishte atje për ta mbrojtur atë!!!"

Rreth 100 zjarrfikës të mbështetur nga shtatë helikopterë dhe avionë bombardues uji po luftonin zjarrin, thanë oficerët e mbrojtjes civile. Megjithatë politikanët lokalë denoncuan mungesën e burimeve.

"Ne po u kërkojmë autoriteteve të forcojnë forcat ajrore dhe tokësore në mënyrë që të mos rrezikojnë jetën e njerëzve", tha Giorgos Tsapourniotis, kryetari i Limniut, për agjencinë e lajmeve ANA.

Argyris Liaskos, nënkryetar i Mantoudiou, i tha Skai TV se asnjë mbështetje ajrore nuk ishte dërguar atje për të trajtuar zjarret. "Të paktën 150 shtëpi janë djegur," tha ai.

Sipas Hardalias, Greqia është përballur me gjithsej 118 zjarre në 24 orët e fundit ndërsa temperaturat u rritën mbi 40 gradë Celsius (104 F).

Ishulli Evia është rreth 200 km larg Athinës, ku më shumë se 500 zjarrfikës, një duzinë avionësh bombardues me ujë dhe pesë helikopterë luftuan një zjarr tjetër në periferi të qytetit.

Rreth një duzinë shtëpi janë shkatërruar nga flakët, dhe dhjetëra biznese, bare dhe banesa pushimi janë dëmtuar rëndë në periferi të Varybombi, 30 km (20 milje) në veriperëndim të Athinës, thanë zyrtarët.

Por deri të mërkurën pasdite, zjarri po vihej nën kontroll, tha Hardalias.

Autoritetet në Athinë u kanë rekomanduar banorëve të qëndrojnë brenda dhe të veshin një maskë për t’u mbrojtur nga hiri dhe tymi.

Dhjetëra njerëz kishin kontaktuar shërbimet e urgjencës duke u ankuar për vështirësi në frymëmarrje.

Në Olimpia, rreth 100 zjarrfikës po luftonin me zjarrin, të ndihmuar nga tre helikopterë dhe dy aeroplanë.

"Çdo gjë që mund të bëhet për të mbrojtur nga flakët Muzeun dhe vendin arkeologjik, ku filluan Lojërat Olimpike, është bërë," tha ministrja e kulturës Lina Mendoni të mërkurën në mbrëmje.

Më parë, kryebashkiaku i Olimpisë, Giorgos Georgopoulos, kishte bërë thirrje për më shumë mbështetje nga ajri.

Komisioneri i menaxhimit të krizave të Bashkimit Evropian tha se do të ndihmonte, dhe Qiproja dhe Suedia po dërgonin të dy avionët e bombardimeve me ujë për të ndihmuar në luftimin e zjarreve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco