‘Vrite shqiptarin’, malazezi dënohet 6 700 euro gjobë

‘Vrite shqiptarin’, malazezi dënohet 6 700 euro gjobë

17:25, 21/07/2021
A+ Aa A-

Shtetasi malazez, Risto Jovanoviç, është gjobitur të mërkurën me 6 700 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për "nxitje të urrejtjes dhe mostolerancës kombëtare dhe fetare", ka konfirmuar avokatja e tij, Jovana Filipoviq për Radion Evropa e Lirë (RFE).

Ajo ka shtuar se klienti i saj ka pranuar të paguajë gjobën, meqë në të kundërtën do të dënohej me gjashtë muaj burgim.

Jovanoviçit i është ndaluar edhe që për pesë vitet e ardhshme të hyjë në territorin e Kosovës.

Duke arsyetuar vendimin, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vlora Pacolli, ka thënë se Jovanoviç është dënuar pasi është dëgjuar duke bërtitur “Vrite shiptarin”, "Ne do ta lajmë Kosovën me gjak", "Kosova është Serbi".

Termi pezhorativ 'shiptar' konsiderohet politikisht jokorrekt dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për shqiptarët.

Ambasadori malazias në Kosovë, Mirsad Biboviç, ka qenë të mërkurën pjesë e seancës kur është dënuar Jovanoviq në Prishtinë.

Ai është arrestuar më 28 qershor, në Gazimestan, 15 kilometra larg Prishtinës, gjatë kremtimit të Vidovdanit.

Ai ka thënë se nuk është fajtor për akuzat me të cilat ngarkohet.

Sipas Policisë së Kosovës, i pandehuri kishte bërë thirrje nacionaliste dhe ka nxitur urrejtje.

Çdo vit, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, festojnë 28 qershorin, festën e Vidovdanit, në Gazimestan, si një përkujtim për vuajtjet e serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Pas arrestimit të Jovanoviqit, Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka thënë se Ambasada në Kosovë ka biseduar me autoritetet në Prishtinë dhe se do të marrë masa për të mbrojtur shtetasin malazias.

Më parë, partia në pushtet në Mal të Zi, Fronti Demokratik, i ka kërkuar Qeverisë malaziase të "kërkojë lirimin e menjëhershëm të tij nga vendi partner, Kosova".

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç ka thënë se nëse Jovanoviç nuk është autor i krimit, ai duhet të lirohet menjëherë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco