Sërish për votim, Ligji për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut

Sërish për votim, Ligji për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut

13:10, 21/01/2021
A+ Aa A-

Shkup - Parlamenti maqedonas sot duhet të mbajë vazhdimin e seancës së 29-të, në të cilën pritet të votohet Propozim ligji për Regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në procedurë të shkurtuar.

Debati mbi Projektligjin në Kuvend, i cili duhet të mundësojë regjistrimin në vend pas 19 vjetësh, përfundoi më 15 janar. Më pas u njoftua se ligji do të votohet në vazhdimin e kësaj seance, që do të caktohet në mënyrë shtesë.

Zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu duke prezantuar projektligjin, tha, se me të parashikohet që regjistrimi të kryhet nga 1 deri më 22 prill të këtij viti. Gjithnjë sipas tij në procesin e regjistrimit do të përfshihen edhe qytetarët që punojnë jashtë vendit, njofton INA. 

“Personat që punojnë jashtë vendit, regjistrimin do ta kryejnë vetë, me një aplikacion të veçantë, i cili do të instalohet në faqen e internetit të Entit Shtetëror të Statistikave nga 1 marsi deri më 21 prill 2021”, thotë Nuhiu.

Zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu siguroi për transparencë të këtij operacioni të rëndësishëm statistikor, duke i vënë theks të veçantë nënshkrimit të lidhur midis drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Entit të Statistikës.

Përveç koalicionit qeverisës mbështetje për ligjin paralajmëruan gjithashtu edhe nga opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kurse kundër ligjit është VMRO-DPMNE, e cila njoftoi se do të kërkojë anulimin e këtij ligji përmes grumbullimit të nënshkrime të qytetarëve.

VMRO-DPMNE-ja në opozitë kërkon që projektligji të tërhiqej menjëherë nga debati parlamentar dhe të organizohet debat brenda-partiak dhe brenda-shoqëror në mënyrë që të gjendet zgjidhje konsensuale se si të zhvillohet ky operacion statistikor. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski thotë, se një ligj i tillë është i papranueshëm për ta dhe se do të votojnë kundër, sepse asnjë nga 26 amandamentet e tyre të paraqitura nuk është pranuar.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoni është realizuar në vitin 2002, ndërkaq në vitin 2011 u fillua, por për shkak të mosmarveshjeve politike procesi u ndërpre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco