Maqedonia e Veriut do të drejtojë OSBE-në në 2023

Maqedonia e Veriut do të drejtojë OSBE-në në 2023

11:35, 05/12/2020
A+ Aa A-

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media njoftoi se në takimin e Ministrave të OSBE-së në Tiranë u vendos me konsensus që vendi të kryesojë me OSBE-në në vitin 2023.

“Sot ndajmë një sukses diplomatik për shtetin tonë. Me konsensus, gjegjësisht të gjithë 56 shtetet pjesëmarrëse në OSBE, kanë pranuar kandidaturën tonë, me ç’rast edhe zyrtarisht na ndanë kryesimin me organizatën më vitin 2023, që do të pasojë pas Suedisë në vitin 2021, dhe Polonisë në vitin 2022”, theksoi Osmani.

Ai tha se vendimi u mirëprit nga të gjithë anëtarët, për të cilën ai shprehu mirënjohje publike.

Sipas Osmanit, kryesimi me OSBE-në do të kontribuojë në një pozicionim të ri dhe më të mirë ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut si një aktor konstruktiv dhe kontribues në promovimin e angazhimeve të OSBE-së, ndërkaq, në mënyrë indirekte do të krijohen edhe mundësi të manifestohet kapaciteti institucional që pritet nga vend anëtar i NATO-s dhe vend pretendent për në BE.

"Si vend kryesues, Republika e Maqedonisë së Veriut do të kontribuojë në promovimin e mëtejshëm të parimeve dhe vlerave të organizatës, duke krijuar hapësirë për realizimin e përparësive të veta politike ndërkombëtare dhe mundësinë për t'u vendosur si një aktor aktiv në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal. Mbi të gjitha, kjo do të thotë një mundësi për rritjen e mbështetjes së opinionit publik në BE për procesin e pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE", tha Osmani.

Duke folur për suksesin dhe njohjen ndërkombëtare për progresin e dëshmuar që si shtet e demonstruam viteve të fundit, si në pikëpamje të agjendës së brendshme reformuese, kohezionit të brendshëm, posaçërisht përmes modelit unik në raportet multietnike, po ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, rajonal, evropian, por edhe në korniza botërore, Osmani potencoi:

“Kjo para së gjithash do të thotë mundësi edhe për mbështetje më të madhe të opinionit publik në BE për procesin e aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të procesit vijues të bisedimeve për anëtarësim të plotë, por edhe për ndërtimin e reputacionit të vendit ose brendit politik- Republika e Maqedonisë së Veriut, si partnere stabile ndërkombëtare, pjesë e sistemeve shoqërore bashkëkohore, mbështetëse e fortë e multilateralizmit- që përbën një nga pesë prioritetet të politikës së jashtme”.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut informoi se në periudhën e ardhshme ata do të fillojnë definimin e draft programit, përcaktimin e përparësive të vendit, detajimin e strukturës financiare dhe formimin e një ekipi më të gjerë që do të jetë përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve deri dhe gjatë presidencës së Maqedonisë Veriore me OSBE-në.

Për atë qëllim, tha Osmani, do të jetë e nevojshme të formohet një ekip kombëtar koordinues, një pjesë e të cilit do të vendoset në Vjenë dhe një pjesë do të punojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco