Maqedonia e do hekurudhën me Shqipërinë, por i duhen 426 milionë euro si fillim

Maqedonia e do hekurudhën me Shqipërinë, por i duhen 426 milionë euro si fillim

12:57, 25/09/2020
A+ Aa A-

Shkup - 426 milionë euro do të nevojiten për fazën e parë për ndërtimin e hekurudhës nga Kërçova deri në kufirin me Shqipërinë.  Ky është një investim i komplikuar, kërkon edhe para si dhe resurse tjera, tha Festik Halili, drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë.

Ai shpjegoi se vetëm Maqedonia e Veriut nuk e ka përfunduar pjesën e saj nga Korridori 8. Problem në këtë situatë, siç thotë Halili, nuk janë vetëm financat por edhe papajtueshmëritë mes institucioneve në qeverinë e mëparshme.

“Ky projekt ka gjatësi prej 63 kilometrash, duke filluar nga Kërçova e deri në kufirin e Shqipërisë. Së pari kemi problem të vogël me UNESCO-në për shkak se ato dy kilometra ku kalon traseja, afër liqenit të Ohrit, na thanë se duhet të analizojmë mirë nëse mund të gjendet ndonjë rrugë alternative. Ndaj projekti është i ndarë në dy faza”, deklaroi Festim Halili – Drejtor i Hekurudhave të Maqedonisë.

Nevojiten katër vjet për përfundimin e fazës së parë, thotë Halili. Ndërtimin e projektit në mënyrë shtesë e vështirëson edhe terreni kodrinor- malor për çka do të nevojitet të nderohen 49 ura dhe 13 tunele. Janë planifikuar edhe dy stacione kryesore hekurudhore në Mesheishte dhe Strugë, ndërsa do të ketë edhe 4 mini stacione afër trasës.

Faza e parë e projektit kushton 426 milion euro, ndërsa për të dy fazat e projektit nevojiten gjithsej 525 milion euro. Por a do të mundet të mbajë këtë ngarkesë kjo ndërmarrje publike në kushte kur, sipas shumicës, kompania po përballet me borxhe?

“Këto janë projekte të mëdha dhe pa ndihmën e Ministrisë së financave dhe Qeverisë nuk mundemi t’i realizojmë. Të ardhurat tona si ndërmarrje janë shumë të ulëta në krahasim me planin për investime që e kemi për vitet e ardhshme”, theksoi Festim Halili.

Nga ana tjetër, Ministri maqedonas për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski, në intervistën 10 Minuta në TV21 përsëriti se projekti e konfirmon edhe angazhimin e Qeverisë se do të investojë edhe në pjesën Perëndimore dhe Lindore të Korridorit 8.

“Bëhet fjalë për shumë mjete, shumë të madhe të parave. Projektet e kërkojnë këtë. A vlerësojmë ne se për këtë çështje është diskutuar shumë apo pak. Kjo është shuma reale që kushton”, u shpreh Bllagoja Boçvarski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Qeveria të martën nxori vendim që për ndërtimin e hekurudhës nga Kërçova deri në kufirin me Shqipërinëtë kërkojë 426 milionë euro nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët bilateral si grant mjete për ndihmë teknike, por tani për tani vetëm për projektin deri në Strugë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco