Kapiten Dragan dhe të dënuar për krime lufte, fushatë në parlamentin e Serbisë Dragan Vasiljkoviq, i njohur si Kapiten Dragan, i dënuar për krime lufte.

Kapiten Dragan dhe të dënuar për krime lufte, fushatë në parlamentin e Serbisë

09:30, 02/06/2020
A+ Aa A-

Ashtu si në mbledhjet e tanishme të Kuvendit të Serbisë, pas zgjedhjeve të ardhshme, individë të dënuar për krime lufte të kërkuar nga organet gjyqësore ndërkombëtare mund të jenë pjesë e parlamentit.

Zgjedhjet në Serbi në të gjitha nivelet janë caktuar më 21 qershor. Për të marrë pjesë në to, nënshkrimet e nevojshme aktualisht janë duke u mbledhur nga Dragan Vasiljkoviq, i njohur si Kapiten Dragan, i dënuar për krime lufte i cili pas mbajti dënimin u lirua më 28 mars nga burgu i Lepoglavës në Kroaci.

Dragan Vasiljkoviq u dënua me 13 vite e gjysmë burg, sipas verdiktit për krime lufte në Knin dhe Glinë ku shërbeu si komandant gjatë luftës në Kroaci nga viti 1991 deri më 1992.

Më pak se dy muaj pas lirimit nga burgu, Vasiljkoviq ka njoftuar se do të përpiqet që të fitojë një ulëse në Kuvendin e Serbisë.

“Unë u kam premtuar serbëve që i kam lënë në burgje, të cilët u dënuan me shumë vite burg, kundër të cilëve nuk ka asnjë provë të vetme të verifikuar, se unë do të jem zëri i tyre,” ka thënë Vasiljkoviq para gazetarëve në Kragujevc më 23 maj.

Ai acaroi publikun me anë të një deklarate që bëri për një tabloid të Beogradit se do të kërkonte lirimin me kusht për Milorad Ulemek dhe Zvezdan Jovanoviq, të dy të dënuar me nga 40 vite burg për organizimin dhe kryerjen e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjinqiq më 12 mars të 2003.

Sheshel- i dënuar dhe deputet

“Sipas këndvështrimit tim, kjo gjë është plotësisht e papranueshme, por është diçka që nuk më befason”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Ivan Gjuriq, drejtori i programit të Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

“Normalizimi i pjesëmarrjes së kriminelëve të luftës ose të dyshuarve për krime lufte, në jetën politike të (Serbisë) është duke ndodhur për vite me radhë,” thotë Gjuriq, organizata e të cilit merret me çështje të pajtimit dhe trajtimit të së kaluarës.

Gjatë seancës së fundit parlamentare, organizata YIHR ka kërkuar që liderit të Partisë Radikale serbe, Vojislav Sheshelit, t’i hiqej mandati i deputetit, pas dënimit që mori për krime lufte, nxitje të përndjekjes, depërtimit dhe shpërnguljes së kroatëve në fshatin Vojvodina të Hrtkovcit në vitin 1992.

Sidoqoftë, Bordi Administrativ i Kuvendit të Serbisë, asnjëherë nuk e konsideroi shkarkimin e tij (Sheshelit), dhe ai tani prapë po kandidon në zgjedhjet e ardhshme si bartës i listës së partisë së tij, ka bërë të ditur Komisioni Zgjedhor i Republikës më 9 mars.

Kush flet sot për krime të luftës në Serbi?

Njëri nga pjesëmarrësit e paktë në zgjedhjet e ardhshme që publikisht flet për krimet e luftës gjatë fushatës zgjedhore është avokati Aleksandar Olenik, drejtuesi i Forumit Opozitar Qytetar Demokatrik (GDF) si dhe kandidat për deputet në listën e Serbia e Bashkuar Demokratike.

“Kjo temë është fshehur që kur janë kryer krimet e luftës dhe gjenocidi”, ka thënë Olenik për Radion Evropa e Lirë.

“Çdo bisedë gjatë fushatës në lidhje me krimet e luftës, do të ishte një lloj konfrontimi me të kaluarën dhe me krimet e luftës, veçanërisht ato krime lufte të cilat janë kryer në emrin tonë, ka thënë Olenik./REL

“Pa u përballur me krime lufte, ne nuk mund të lëvizim drejt së ardhmes dhe të ndërtojmë paqe të qëndrueshme me të gjithë fqinjët tanë në Ballkan, as nuk mund të lëvizim me sukses dhe me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian, dhe ky është qëllimi i parë dhe themelor i Forumit Opozitar Qytetar Demokatrik dhe Listës Serbia e Bashkuar Demokratike”, tha Olenik.

Sipas Ivan Gjuriq nga Nisma Rinore, tema e trajtimit të së kaluarës dhe krimeve të luftës është një histori e mbyllur për elitën politike në pushtet në Serbi, gjë në të cilën ata nuk duan të kthehen.

Nisma Rinore protestoi kur Veselin Sljivanqanin, i cili ishte duke vuajtur dënimin e tij pas aktgjykimit për krime në Ovqara afër Vukovarit, kishte folur në tribunën e Partisë Progresive Serbe në pushtet, në Beska në Vojvodinë në janar të 2007-tës, si dhe kur Ministria e Mbrojtjes e Serbisë botoi një libër të gjeneralit Nebojsha Pavkoviq, i cili është duke vuajtur dënimin me burg në Finlandë bazuar në një aktgjykim të gjykatës së Hagës për krime kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë vitit 1999.

Ata gjithashtu ngritën zërin kur aktivistët e Partisë Socialiste Serbe (SPS), kërkuan që të ngrihet një monument për themeluesin e partisë, Slobodan Milosheviq, i cili vdiq në paraburgim në Hagë më 11 mars të 2006-tës derisa ishte duke u gjykuar për gjenocid dhe krime të luftës./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco