Greqia gati për të pritur vizitorët/ Hoteleritë nuk e kanë të qartë nëse turistët do pajtohen me masat

Greqia gati për të pritur vizitorët/ Hoteleritë nuk e kanë të qartë nëse turistët do pajtohen me masat

17:49, 01/06/2020
A+ Aa A-

Hotelet greke janë duke u përgatitur të presin përsëri vizitorët dhe qeveria ka në plan t’i lejojë ato të rihapen këtë muaj.

Do të vendosen masa të reja për të parandaluar përhapjen e virusit, por hotelierët ende nuk e kanë të qartë nëse turistët do të pajtohen me to, raporton VOA.

Mot i përsosur për pushuesit, por plazhet janë bosh.

Pandemia ka ndaluar përkohësisht udhëtimet në botë. Por industria turistike greke po përgatitet të hapet përsëri.

Pasi qeveria vendosi të lejojë që hotelet e përhershme të hapen më 1 qershor dhe ato me akomodim sezonal më 15 qershor, ka nisur gara e përgatitjeve për vizitorët në një vend që arriti të mbajë rastet me koronavirus dhe vdekjet prej tij në nivele relativisht të ulëta.

Hotelierët shpresojnë ta ruajnë këtë tendencë, kështu që po marrin masa paraprake.

Ndryshimet janë tashmë të dukshme në disa institucione - shënjues për distancimin shoqëror, sanitizuesit e duarve dhe monitorues të higjenës në zonat e përgatitjes së ushqimit janë tani norma.

Por Gerasimos Bakogiannis, i cili ka në pronësi një hotel me më shumë se 450 shtretër në gadishullin verior grek të Halkidhiqi, është nervoz.

"Ne të gjithë kemi ankth për atë që do të ndodhë nëse në të vërtetë shfaqet një rast me koronavirus hotele. Me të vërtetë nuk duam të mendojmë", thotë ai.

Dhomat e hotelit do të pastrohen vetëm në ditët e zgjedhura nga klientët. Ato do të dezinfektohen para se pushuesit të ndërrohen.

Por a do të shkojnë pushues?

Bakogiannis nuk di çfarë të presë.

"Ne po kërkojmë të sigurojmë që hoteli do të rezervohet plotësisht, sepse deri më tani kemi pasur disa rezervime, por në këtë pikë me të vërtetë nuk kemi risi. Nuk e dimë se sa nga rezervimet do të materializohen në të vërtetë, sa klientë do të vijnë. Po jetojmë në pasiguri vërtetë".

Bllokimi i Greqisë dha një goditje të fortë për ekonominë e vendit, i cili mezi ka dalë nga një krizë brutale financiare 10 vjeçare e cila zvogëloi me 25 përqind prodhimin e brendshëm bruto.

Autoritetet janë të shqetësuar për të siguruar që të mos humbasë gjithë sezoni i verës.

Për Grigoris Tasios, president i Federatës së Hoteleve Greke, biznesi i këtij viti duket i pasigurt, në rastin më të mirë.

"Sigurisht, në fund të ditës, pyetja e madhe për pronarët e hoteleve është nëse do të vijnë turistët. Kjo do të varet nga vendet e origjinës dhe kriteret e tyre përkatëse shëndetësore dhe epidemiologjike, të cilat ndryshojnë nga dita në ditë", thotë ai.

"Gjërat me siguri nuk duken mirë që nga korriku e tutje, në varësi të valës së fluturimeve që do të vijnë në vend, me një përjashtim për Greqinë veriore, e cila mund të shohë më shumë turistë që vijnë me makina."

Turizmi është një pjesë thelbësore e ekonomisë greke, duke kontribuar drejtpërdrejt më shumë se dhjetë përqind të PBB-së së vendit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco