28 qershori, data e mundshme për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

28 qershori, data e mundshme për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

14:47, 18/05/2020

Liderët e partive politike maqedonase do të takohen sot në mesditë tek presidenti i shtetit, për të diskutuar rreth datës eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

28 qershori shqyrtohet si datë e mundshme kompromisi për mbajtjen e zgjedhjeve, mëson INA.

Por nga ana tjetër partitë opozitare kërkojnë shtyrjen e tyre dhe se si periudhë më të përshtatshme e shohin fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, kur pritet edhe dobësimi i koronavirusit.

Zgjedhjet do të mbahen pasi Kuvendi u shkarkua dhe po funksionon një qeveri teknike, e cila ishte caktuar për të organizuar zgjedhjet e 12 prillit të këtij viti, të cilat u shtyne me një dekret qeveritar për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për pandeminë me koronavirusin.

Andaj liderët e partive në takimin e sotëm pritet që të dakordohen për një datë të mundshme.

Në takim janë ftuar liderët e LSDM-së, Zoran Zaev, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, BDI-së, Ali Ahmeti, Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, Alternativës, Afrim Gashi, Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, si dhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dhe kryeministri Oliver Spasovski.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco